Kur Berisha refuzonte kërkesën e opozitës socialiste për të lënë imunitetin dhe për tu hetuar nga prokuroria për implikimin e shtetit në ngjarjen e rëndë
Si sot 18 vjet më parë, më 15 mars 2008, në fshatin Gërdec, pak kilometra larg kryeqytetit shpërtheu depo e demontimit të armëve dhe humbën jetën 26 qytetarë. Në një seancë parlamentare të pak ditëve më pas, do të raportonte edhe kryeministri i kohës Sali Berisha. Seanca u zhvillua me kërkesë të opozitës socialiste. Ngjarja shkaktoi reagime të forta politike. Opozita kërkoi dorëheqjen e kryeministrit dhe heqjen e imunitetit të tij për t’u hetuar nga prokuroria për përgjegjësitë e mundshme të institucioneve shtetërore në këtë tragjedi.
Sali Berisha e refuzoi kërkesën e socialistëve. Çështja u mbyll politikisht vetëm me dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Megjithatë, opozita nuk u mjaftua me këtë dorëheqje. Në Parlament pati debate të ashpra mes mazhorancës dhe socialistëve, por kërkesat e opozitës u rrëzuan nga votat e shumicës. Gazeta Tema sjell një pjesë të debatit mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares së grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, në të cilin ndërhynë edhe deputetë të tjerë të opozitës, mes tyre Namik Dokle si dhe kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli.
18 mars 2008, debat në Parlament për ngjarjen e Gërdecit
Valentina Leskaj – Të nderuar kolegë deputetë,
Më lejoni që t’ju drejtohem, zoti Kryeministër,
Historitë që treguat këtu besoj se fyejnë çdo shqiptar, Kuvendin, i cili, në fakt, ju ka thirrur sot për të raportuar lidhur me tragjedinë e Gërdecit dhe jo për të treguar histori dhe për t’u justifikuar. Me fjalën tuaj ju treguat edhe një herë se jeni i papërgjegjshëm dhe dua t’ju tregoj edhe një herë Kushtetutën, meqë ju u shfajësuat se nuk mbani përgjegjësi. Do t’ju rekomandoja të lexoni nenin 169 të Kushtetutës lidhur me përgjegjësitë tuaja, zoti Kryeministër.
Gjithsesi, dua të them se ju nuk bëtë as minimumin që duhet të bënte një njeri, nuk u kërkuat falje atyre njerëzve sot. Natyrisht, është e tepërt të pretendosh nga ju sot që të kërkoni falje, është e tepërt për shkak se në këta 17 vjet ju jeni personifikuar si Presidenti i një vendi që u dogj e u shkrumbua deri në dhimbje, si kryetar i një opozite që dogji institucionet dhe tani së fundi si Kryeministri i një Qeverie, e cila, me një vendim krejt të papërgjegjshëm, realizoi një bombardim të mirëfilltë mbi një zonë të banuar, një goditje që ka shkaktuar humbje jetësh të pafajshme, zhdukje dhe plagosje fëmijësh, grash, burrash fatkeqë, shpërngulje masive familjesh të copëtuara, shkatërrime shtëpish dhe pronash. Bilancit tragjik i shtohen edhe pasojat që do të lërë kjo ngjarje në memorien dhe shpirtin e kombit, të çdo shqiptari dhe të çdo fëmije, që nuk do të harrojë lehtë këto imazhe të tragjedisë, kur ende nuk janë tharë lotët e 11 vjetëve më parë.
Të udhëhequr nga arsyeja njerëzore dhe qytetare, jo nga instinkti i luftës për pushtet, jo me klithma, pa pyetur për pasojat, siç bëtë ju, ne ju dhamë juve dhe Qeverisë suaj mbështetje në orët e tmerrit, për të ndihmuar njerëzit në nevojë, mjekët, policët, ushtarët, që të bënin detyrën. Ne e bëmë këtë për njerëzit dhe jo për t’ju krijuar mundësinë juve që të dilni në ato konferenca shtypi të turpshme, të cilat dëshmuan se ju jeni po ai, personifikimi i njeriut që s’di të marrë kurrë përgjegjësitë e veta, por vetëm t’ua lërë fajin të tjerëve, ashtu siç bëtë edhe sot në këtë seancë.
Zoti Kryeministër, që ju duhet ta dini se detyrë e parë e Qeverisë së një vendi është siguria e jetës së shtetasve, unë këtë e besoj. Por ju jeni Qeveria që minuat sigurinë me afera korruptive. Ministri juaj i Mbrojtjes dha dorëheqjen pasi populli, në çdo mikrofon dhe ekran, dhe pastaj edhe opozita e vendit, i kërkoi atij, si edhe juve, të merrni përsipër përgjegjësinë për këtë tragjedi që ka tronditur jo vetëm Shqipërinë, por edhe botën. Nuk mund të rrini ende ulur në atë karrige, zoti Kryeministër, pasi politika juaj e mbrapshtë ka shkaktuar një tragjedi të madhe, që u ka fikur jetën apo u ka marrë njerëzit më të dashur dhe gjithçka kishin shumë bashkëqytetarëve tanë. Sot e tërë Shqipëria, qytetarë, të majtë, të djathtë, pa parti , kërkojnë nga ju të bëni atë që bëri ministri juaj i Mbrojtjes, i cili bashkë me ju dhe jashtë çdo logjike njerëzore e ligjore, lejoi hapjen e një fabrike të çmontimit të municioneve në zemër të aksit Tiranë- Durrës , në një zonë të banuar dhe pranë aeroportit ndërkombëtar. Fabrikë e quani ju, zoti Kryeministër, por, në fakt, ajo ishte një barakë, baraka e vdekjes, që kryente operacione me rrezik jete dhe ky është një rast pa precedent. Është shumë cinike të mendosh për fitime para jetëve të grave e fëmijëve, që, për bukën e gojës, vunë jetën e tyre në rrezik. Është e paprecedent të shikosh një barakë, që quhet fabrikë, ku brenda dhe jashtë saj , sheshit dhe pa asnjë masë sigurie, të ketë male me municion, është shumë cinike që fëmijët enden në këto male me municion dhe shteti të mos i shoh.
Ju, zoti Kryeministër, jeni zotuar për të luftuar korrupsionin dhe informalitetin dhe për këtë kontrolluat byrektore e domateshitës, që nxjerrin bukën e gojës, dhe mirë keni bërë. Ne jemi për shtetin ligjor. Po pse nuk e keni bërë këtë edhe për fabrikën e vdekjes që nxirrte miliona nga djersa e njerëzve të pasiguruar? A e morët vesh, zoti Kryeministër, se nga 140 punëtorë, që punonin në fabrikë, 7-8 në muaj prej tyre ishin të siguruar dhe, muajt e fundit, vetëm pronari i fabrikës? Pse kaq zemërmirë me këtë firmë? Ky është korrupsion politik, moral e financiar, i paguar me jetë njerëzish. Ky ishte akt i ligjëruar me kontrata korruptive, që tashmë nuk mund t’i mbulojë dot askush dhe për këtë ju akuzoni mediat, siç bëtë sot në mbledhjen e Qeverisë.
Askush nuk do të kishte kurajën të bënte atë që bëtë ju sot, të akuzonte mediat, në vend që t’i lavdëronte ato për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë, për përkushtimin, për punën me shpirt njerëzor, me transparencë dhe profesionalizëm. Ajo që bëtë sot është një presion i hapur ndaj mediave të lira dhe kjo është shumë e rëndë. E bëtë këtë sepse ato flasin të vërteta të frikshme. Por ky nuk është faji i medias.
Pas kësaj që ka ndodhur nuk e di si mund të rrini ulur në atë karrige, zoti Kryeministër, dhe këtë jua them si nënë, si grua, si politikane. Ju fyeni të vdekurit e të gjallët kur thoni se Qeveria juaj kishte përgjegjësi vetëm për transportin e municionit dhe jo për lejen e fabrikës, jo për vendndodhjen e saj, për kushtet e sigurisë brenda saj, për shfrytëzimin e grave dhe të të miturve, për fundin tragjik të saj. Është edhe më e turpshme kur thoni se nuk e keni dëgjuar ndonjëherë emrin Gërdec. Në fakt, Gërdeci është vetëm 10 km larg zyrës suaj.
Zoti Kryeministër,
Disa herë në këtë sallë dhe në konferenca shtypi, personalisht kam kërkuar të ndaloni punën e fëmijëve që rrëmojnë në malet e kromit në Bulqizë, që punojnë për të nxjerrë hekurishte dhe predha dhe për këtë jam bërë viktimë. Nuk keni dëgjuar, madje ndonjë në këtë sallë e ka quajtur edhe diskutim të parëndësishëm. Nuk ka qenë i vëmendshëm. Çfarë ka më të rëndësishme për politikën sesa jeta e njerëzve, sesa jeta e fëmijëve? Problemi nuk është vetëm se shkaktuat këtë tragjedi, por edhe e keqmenaxhuat atë. Si është e munduar që Kryeministri i vendit pyet punëtorin e plagosur e të traumatizuar se sa vetë ishin në fabrikë?! Çfarë shteti është ky? Si është e mundur që Qeveria nuk ka informacion sa vetë punojnë në një objekt të tillë që është me rrezik jete?! Kjo është e frikshme.
Zoti Kryeministër,
Nuk janë të paktë qytetarët që më kanë kërkuar t’ju kujtoj se ç’ke bërë në atë foltore si kryetar i opozitës, kur u mbyt një gomone me klandestinë në mes të detit, kur ra një autobus në greminë, dhe mirë u bë. Por ka edhe nga ata qytetarë që mendojë se ju nuk e jepni dorëheqjen, sepse doni të fshihni diçka të tmerrshme lidhur me fabrikën e vdekjes. Këtë sot për sot e dini vetëm ju. Shpresojmë që Prokuroria ta zbardhë. Ajo që dimë ne është se nuk bëmë e nuk do të bëjmë asnjëherë atë që ju keni bërë në këtë vend, atë që keni bërë në këtë foltore me ulërima, akuza e shpifje, por, pa dyshim, as nuk do të lejojmë që këtë barbari shtetërore ju ta kaloni me papërgjegjshmërinë tuaj proverbiale e me justifikime të patolerueshme. Ajo që mund të them sot është se ju nuk demontoni armë. Ju demontoni shtetin dhe kjo është tragjike për një vend. Ju duhet të shkoni e të rrëfeheni përpara organeve të drejtësisë e jo në foltoren e Këshillit të Ministrave apo të këtij Kuvendi, që duhet të heqë zyrtarisht imunitetin tuaj dhe të ministrit të Mbrojtjes. Që e vërteta të zbardhet deri në fund, që llogaria të bëhet deri në fund, që përgjegjësitë të dalin deri në fund, ne kërkojmë jo vetëm dorëheqjen, por edhe hetimin tuaj, zoti Kryeministër.
Krateri i Gërdecit nuk mund të mbyllet me dorëheqjen e vonuar të Fatmir Mediut.
Sali Berisha – Zonja kryetare e Grupit Parlamentar të PS-së, duke treguar mirëkuptim të plotë, dhe ua them këtë edhe deputetëve të mi, për qëndrimin kritik të opozitës, sepse, në fakt, kjo i takon dhe ky është detyrimi i saj, unë mendoj se nuk duhet të shfrytëzohet tërësisht për politikë. Unë e kuptoj se opozita ka të drejtën e vet, por nuk duhet të harrosh se të gjitha ato institucione që u përballën me një nga krizat më të rënda të vendit janë jo vetëm të Kryeministrit, janë edhe të opozitës, janë të shtetit, janë të vendit, ndaj dhe unë prisja të bëje vlerësimet për atë pjesë.
Për sa u përket kritikave, për sa u përket kërkesave, zonja kryetare, përgjigjja ime është kjo:
Së pari, ja ku je, mblidh firmat, paraqit mocionin, unë jam i gatshëm në çdo kohë.
Së dyti, faktoni në mënyrën më të përgjegjshme çdo deklaratë timen që nuk qëndron dhe unë, të jeni e bindur se u qëndroj fjalëve të mia, por më vjen keq se janë ligje që i keni bërë ju, janë ligje që keni përjashtuar tërësisht Kryeministrin në vendndodhjet.
Zonja kryetare, nuk është e drejtë nga ana juaj të citoni vendimin. Po, kam thënë se si marrëdhënie kontraktuale e ka ministria. Urdhëro, ja ku është vendimi im këtu, vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili thotë: “Procesi i çmontimit të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të Forcave të Armatosura”.
Zonja kryetare, ky është tagri i Kryeministrit. Është zbatuar ky vendim apo nuk është zbatuar ky vendim, ka një organ që po heton, por unë Kryeministri kam përcaktuar qartësisht, në përputhje me të gjitha ligjet e vendit, dhe jo të spekuloni e të thoni se ministria ka vetëm kaq. Nuk e kam thënë atë. Kam thënë se ministria dhe çdo institucion tjetër është i detyruar të zbatojë këtë vendim. E ka zbatuar apo nuk e ka zbatuar, tani e ka një prokurori në hetim. Doni të bëj prokurorin? Prokurorin nuk e bëj unë. Unë edhe një herë ju them juve se po merrem intensivisht me një kuadër tërësor të menaxhimit të krizës dhe ju jeni dëshmitarë.
Zonja kryetare, e di se çfarë do të kërkonin sot qytetarët e Vorës, do të kërkonin nga ti si opozitë të bëje avokatinë e të gjitha interesave të tyre materiale, shpirtërore e të gjithanshme. Po ju tani ngrini disa teza, të cilat nuk kanë asnjë bazë ligjore. Unë prisja nga ju, përveç kritikave, propozimet konkrete për zonën. Unë prisja nga ju, përveç kritikave, propozimet komplementare për zonën. Përgjegjësit t’i nxjerrë Prokuroria, por nxirrini edhe ju, krijoni komision hetimor. Pse nuk e krijoni? Atëherë ju nuk doni përgjegjësi, atëherë ju nuk doni akuza.
Ore zotërinj, tani unë ju them se prokuroria po heton dhe në mënyrë absolute do të ketë ndihmën totale, do të ketë hapjen totale ndaj saj. Nuk besoni, urdhëroni, caktoni ju komisionin, ndërmerrni hetimin! Jo zotëri, se kam detyra për të përmbushur, jo zotëri, se kam shumë punë për të bërë, jo zotëri, se është një betejë. Jam dakord që mund të jetë korrupsioni në mes, por kam një zotim solemn për t’i qëndruar me të gjithë forcën e ligjit, sepse ky korrupsion ka vuajtur se mbronit Sollakun për vite të tëra këtu. Po, po, ka vuajtur, por ky është fillimi i betejës kundër tij. Do të qëndroj unë kundër korrupsionit, mos keni dyshim ju.
Faktojeni ju atë zotëri, faktojeni! Jam shumë dakord, t’i faktojmë të gjitha. Unë do t’ju jem shumë mirënjohës, por druaj se duke rrëmuar, duke rrëmuar do të gjeni atë që nuk dëshironi. Kaq po ju them unë.
Valentina Leskaj – Zonja Kryetare,
Të jesh e sigurt se më pak se dy minuta do të flas.
Së pari, dua t’i them zotit Kryeministër se po përpiqet të bëhet avokati i atyre që i hodhi në erë, tani besoj se kjo avokati nuk vlen më.
Së dyti, meqenëse përmendi këtu organet e hetimit, ne pikërisht këtë po kërkojmë. Po kërkojmë që zoti Kryeministër të bëjë dorëheqjen, të heqë imunitetin dhe të vihet në shërbim të organeve të hetimit. Pikërisht këtë po kërkojmë. Bëni këtë, zoti Kryeministër, komentet e tjera nuk kanë asnjë vlerë.
Namik Dokle – Falemnderit!
Zonja Topalli, ju iu referuat nenit 47 të Rregullores dhe bëtë mirë. Në bazë të këtij neni, çdo anëtari të Këshillit të Ministrave i lejohet të marrë fjalën sa herë të dojë, por paragrafi i fundit i këtij neni thotë: “Në debatet me kohë të përcaktuar, fjala e anëtarit të Këshillit të Ministrave llogaritet në kohën e grupit parlamentar të cilit i përket”. Prandaj, llogarite kohën, çdo sekondë të të gjithëve. Dakord?
Jozefina Topalli – Zoti Dokle, neni 47 thotë ashtu siç e lexoni ju dhe të gjithë ministrat e kanë të regjistruar kohën brenda kohës së përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve. Kryetari i Këshillit të Ministrave është këtu me kërkesën e tij personale dhe me kërkesën e dy grupeve më të mëdha. Nga momenti që keni bërë ju kërkesën, ai do t’i përgjigjet vetëm kërkesës suaj. Ministrave të tjerë nuk do t’u jepet fjala sa herë që ata të kërkojnë fjalën në raport me këtë./TemA




















