Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, pak ditë më parë u zhvillua “Match Maker Albania 2”, forumi i rëndësishëm ndërkombëtar i biznesit i organizuar nga AIDA, i cili synon të lidhë drejtpërdrejt bizneset shqiptare me investitorë dhe partnerë të huaj përmes takimeve të drejtpërdrejta dhe prezantimit të projekteve konkrete.
Rama tha se ky organizim është shumë i rëndësishëm, teksa theksoi se Shqipëria shihet gjithnjë e më seriozisht si destinacion për investitorët e huaj.
“Këtë javë u zhvillua edicioni i dytë i MatchMaker Albania, një aktivitet që mbledh rreth 1200 pjesëmarrës, afro 500 investitorë ndërkombëtarë nga më shumë se 40 shtete dhe krijon kësisoj një mundësi reale në një hapësirë konkrete, ku idetë, projektet dhe synimet për të krijuar sinergji në funksion të bashkëpunimit për të investuar në Shqipëri marrin formë përmes qindra e qindra takimeve të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve të sipërmarrjeve të ndryshme, që pikërisht ky aktivitet u mundëson të njihen konkretisht me projektet e njëri-tjetrit apo me projekte të cilat presin partneritete të reja, si nga sektori publik ashtu edhe nga ai privat.
Dhe ajo që u ndje e qartë edhe në këtë edicion të dytë ishte rritja e interesit, rritja e mundësive reale të konkretizueshme në bazë të interesit reciprok, që kthehet pastaj në angazhim dhe prania e plotë e kompanive të njohura ndërkombëtare, që nuk janë në Shqipëri më thjesht për një prezencë simbolike apo të rastësishme, por që janë në Shqipëri sepse Shqipëria shihet gjithnjë e më seriozisht si destinacion për investitorët.
Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me çka unë theksova në fjalën time në hapjen e këtij edicioni të dytë të MatchMaker Albania, se Shqipëria nuk është më në fazën ku prezantohet si një vend me potencial për të ardhmen, por është në një fazë të re ku e ardhmja është sot”, tha Rama.
Në këtë platformë, vëmendje të veçantë mori Concord Group, një nga aktorët kryesorë të investimeve në Shqipëri, i cili u prezantua me projektin më ambicioz në rivierën shqiptare, “Marina Orikum”. Ky projekt përfaqëson një koncept të integruar turistik dhe rezidencial njëherësh, që synon ta shndërrojë Orikumin në një destinacion të ri elitar.
Interesimi për “Marina Orikum” ka qenë i lartë si nga investitorët vendas ashtu edhe nga ata të huaj, duke reflektuar besimin në potencialin e tregut shqiptar dhe në cilësinë e projektit. “Marina Orikum” parashikon ndërtimin e mbi 1000 njësive banimi, hapësira komerciale me praninë e markave prestigjioze ndërkombëtare dhe një hoteli me 5 yje, i cili pritet të operojë nën brandin global “NH Collection”.

















