Tiranë, 31 mars- Procesi i riorganizimit të strukturave të Partisë Socialiste në kryeqytet vijoi në Njësinë 7, me zhvillimin e Asamblesë në këtë njësi, në kuadër të një faze të re pune për socialistët e Tiranës. Fokusi mbetet te forcimi i strukturave në çdo lagje, zgjerimi i partisë përmes përfshirjes së të rinjve, grave dhe vajzave, si dhe intensifikimi i komunikimit me qytetarët për shqetësimet e tyre, për punët e realizuara dhe për projektet që pritet të konkretizohen në vijim për Tiranën dhe Shqipërinë.

I pranishëm në takim, Kryetari i Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama, theksoi se forca e vërtetë e Partisë Socialiste janë njerëzit e saj, që janë çdo ditë pranë komunitetit për t’i dëgjuar dhe për të komunikuar drejtpërdrejt me qytetarët për rezultatet konkrete që ndikojnë në jetën e tyre, nga rritja ekonomike te pagat, pensionet dhe shërbimet.

“Ne jemi Partia Socialiste. Qëllimi ynë është ta bëjmë Shqipërinë më të mirë, ta bëjmë Tiranën më të mirë, ta bëjmë lagjen ku jetojmë më të mirë, ta bëjmë shkollën për fëmijët më të mirë, ta bëjmë shërbimin shëndetësor më të mirë, ta bëjmë çdo gjë më të mirë,” tha Kryeministri Edi Rama.

Drejtuesja politike e Qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliu, prezantoi drejtuesit politikë të Njësisë 7, Etilda Gjonaj, Sofian Jaupaj dhe Enkelejd Musabelliu, të cilët do të drejtojnë strukturat në terren.

Drejtuesja Politike e Qarkut të Tiranës Ogerta Manastirliu tha se është e rëndësishme komunikimi me qytetarët për të folur me ta për shqetësimet që kanë por edhe për punët që janë bërë reformat dhe ndarjen e vizionit për zhvillimin e Tiranës dhe të vendit në rrugën e integrimit europian.

“Së bashku do të vijojmë punën në këtë fazë të re që kemi nisur, për rienergjizimin e strukturave tona, për hapjen e partisë për më shumë të rinj, gra dhe vajza dhe për më shumë kontakt me njerëzit, për të shpjeguar punët dhe reformat që po bëjmë në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë,” tha Manastirliu.

Partia Socialiste e Tiranës po vijon punën në të gjitha njësitë administrative, me qëllim konsolidimin e ekipeve dhe rritjen e angazhimit në terren.