Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vijoi gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër ish-zyrtarëve të tjerë të akuzuar për pengim të drejtësisë. Gjatë seancës, mbrojtja argumentoi se disa prej dëshmitarëve kishin bërë vetë publike në media faktin që ishin ftuar për të dëshmuar, duke theksuar se ata nuk kanë qenë nën masa mbrojtëse pasi janë figura publike.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë tentuar të ndikojnë dëshmitarë në procesin tjetër ndaj Thaçit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që janë mohuar nga të gjithë të pandehurit. Seanca u zhvillua pjesërisht edhe me dyer të mbyllura, ndërsa procesi gjyqësor pritet të vijojë me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë. REL