Pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë në Shqipëri kremtojnë sot festën e Fitër Bajramit, një nga momentet më të rëndësishme në kalendarin islam.
Në kryeqytet, qindra e mijëra qytetarë iu drejtuan që në orët e para të mëngjesit Sheshit “Skënderbej”, ku u organizua ceremonia qendrore e faljes nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Programi nisi rreth orës 06:45 me leximin e ajeteve nga Kurani dhe ligjëratën përkatëse, ndërsa më pas besimtarët kryen faljen e Bajramit. Ndërkohë, vizitat tradicionale në selinë e KMSH-së janë parashikuar të zhvillohen në intervalin 09:00–12:00.
Në mesazhin e tij për këtë ditë, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe kujdesit ndaj shtresave në nevojë, duke e cilësuar këtë festë si një moment reflektimi dhe bashkimi. Ai ndau gjithashtu një apel për paqe, duke kujtuar situatat e vështira në zonat e konflikteve dhe vuajtjet e familjeve që përballen me pasojat e luftës.
Fitër Bajrami shënon përmbylljen e agjërimit njëmujor dhe lidhet ngushtë me aktin e bamirësisë. Para festës, besimtarët japin lëmoshë për të ndihmuar familjet në nevojë, me qëllim që gëzimi i kësaj dite të ndahet nga të gjithë. Kjo festë, e sanksionuar në traditën islame, vjen si shpërblim shpirtëror pas sakrificës së Ramazanit, njësoj si Kurban Bajrami që festohet më vonë gjatë vitit.
Një nga elementët qendrorë të kësaj dite është falja e namazit të Bajramit, një ritual i veçantë që kryhet në orët e para të mëngjesit dhe që dallon nga faljet e zakonshme për nga forma dhe përmbajtja e tij.




















