Nga Erlis Hereni/

Konfliktet moderne nuk nisin më me ushtri të dislokuara. “Si në filma”, ato mund të marrin jetë nga një dokument i shkarkuar në heshtje përmes një emaili të pa-dëshiruar, që më pas infekton një server të tërë, e që konturohet me një fushatë të sinkronizuar dezinformimi. Po, në shekullin e 21 luftërat e nisin pa zhurmë, e vendet e vogla janë terreni më ideal për t’i testuar.

Ndërsa bota është e fiksuar te përshkallëzimi midis Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, Ballkani po përjeton një qetësi të pazakontë. Por historia na ka mësuar se Ballkani nuk është kurrë vërtet “jashtë loje”. Çdo krizë globale hap një dritare për aktorët që kërkojnë të masin refleksin e rajonit. Historia e afërt e rajonit e konfirmon këtë logjikë. Nga tensionet periodike në veri të Kosovës, te krizat politike në Bosnje dhe Hercegovinë apo operacionet e ndikimit gjatë zgjedhjeve të 2016 në Mal të Zi, Ballkani shpesh është përdorur si laborator për testimin e presionit politik dhe informativ nga aktorë të jashtëm. Dhe Shqipëria, apo hapësira shqipfolëse në Ballkan është ndër terrenet më të ekspozuara.

Lajmet për shënjestrim të bazave ushtarake aleate në Qipro, apo raketave të interceptuara mbi Turqi (forcë ushtarake domethënëse dhe vend anëtar i NATO), kanë zbehur disi besimin se edhe Shqipëria nuk rrezikon agresion luftarak, sepse është anëtare e NATO. Është e vërtetë që prezenca në Aleancë e bën këtë skenar thuajse të pamundur apo të paktën shumë të kushtueshëm për agresorin, por në gjendjen aktuale të Iranit, jo të pamundur.

Megjithatë në rastin e Shqipërisë Irani ka dëshmuar se nuk ka nevojë për tanke. Ka mjaftuar një skuadër kibernetike, një narrativë e fabrikuar dhe një shoqëri e polarizuar, për të shkaktuar dëm domethnës. Sulmet kibernetike të vitit 2022 ishin një sinjal i qartë: Shqipëria është objektiv i goditjes strategjike hibride të Iranit. Jo për territor, por për symbolikë dhe mesazh politik.

Prania e organizatës Mujahedin‑e‑Khalq (MEK) në Manzë e ka kthyer Shqipërinë në një pikë tensioni të heshtur me Teheranin, deri aty sa janë ndërprerë Marrëdhëniet Diplomatike. Kjo e fundit në realitet është prelud i konfliktit në çdo çast; veçanërisht me përshkallëzimin në Lindjen e Mesme. E pra ky është realiteti i luftës moderrne veçanërisht në demokracitë në zhvillim: sulmet dixhitale si forma ndëshkimi me qëllim destabilizimin social – ekonomik. Modele të ngjashme janë parë edhe në vende të tjera të rajonit, ku fushatat e koordinuara të dezinformimit dhe presioni kibernetik janë përdorur për të amplifikuar krizën politike të brendshme.

Pa dashur të shpërndaj panik, mendoj se pyetja nuk është: “A do të na sulmojnë?”. Pyetja e vërtetë është “a është gati shoqëria shqiptare kur kjo të mund të ndodhë sërish, ndoshta në një shkallë më të madhe se herën e shkuar?”. Gjykoj se përgjigjja është shqetësuese. Polarizimi i skajshëm i spektrit politik shqiptar e bën infrastrukturën e sigurisë kombëtare më të brishtë, dhe faktorët e jashtëm jo dashamirës (të çdo kombësie) e dinë mirë këtë, për të mos thënë që hera herës, edhe e promovojnë në mënyra të ndryshme. Një fenomen që nuk është i panjohur në rajon: nga bllokadat institucionale në Bosnje deri te tensionet politike në Kosovë dhe Serbi, fragmentimi politik shpesh krijon terrenin ideal për ndërhyrje hibride nga jashtë.

Pra, shoqëria shqiptare, strukturat shtetërore të mbrojtjes dhe sigurisë, ngarkohen me peshë të shtuar për garantimin e sigurisë së brendshme; pa menduar për detyrimet kombëtare në rajonet e banuara nga shqiptarët në vendet fqinjë në Ballkan; rajonin që po testohet, pa u dukur fare se është në provim.

Nën hijen e konfliktit në Iran, Ballkani sot nuk mund të thuhet se është pranë një lufte të re të stilit të vjetër. Por është qartë brenda një faze të re tensioni të zhytur: një lojë nervash, ku reagimi është po aq i rëndësishëm sa kërcënimi. Dhe nuk do shumë analizë për të kuptuar që stabiliteti i rajonit nuk do të cënohet më nga tanket në kufi. Përkundrazi, do të varet nga qendrueshmëria e institucioneve, kohezioni klasës politike përballë një rreziku më të madh; varet gjithashtu nga rezistenca e strukturave mbrojtëse të sistemive dixhitale dhe shkëmbimet me partnerët strategjike, veçoj ata Amerikanë, dhe e fundit por ndoshta më e rëndësishmja, nga imuniteti i qytetarëve ndaj dezinformimit.