Sot në 11 mars orën 12:00, kryeministri Edi Rama zhvilloi mbledhje të qeverisë, ku morën pjesë ministrat. Pas mbledhjes, ministrat prezantuan edhe nismat e qeverisë.

Ministri i Infrastrukturë dhe Energjitikës Enea Karakaçi, gjatë fjalës së tij, në prezantimin e vendimeve të marra në mbledhjen e qeverisë, komentoi ndër të tjera edhe anulimin e tenderit për ndërtimin e Porto Romanos, pasi është tërhequr ofertuesi i vetëm në këtë garë.

Karakaçi u shpreh se kemi një tërheqje të ofertuesit në garë, duke shtuar se arsyeja është krejtësisht ekonomike. Ministri shtoi se Komisioni do të vijojë me procedurën.

Karakaçi nënvizoi se kryeministri Rama vetë u shpreh në lidhje me projektin e Porto Romanos, teksa deklaroi se ka aktorë që po përpiqen ta frenojnë dhe sabotojnë.

“Është bërë edhe publikë që ka dalë në disa media, tërheqja e ofertuesit në këtë garë. Po, kemi një tërheqje të ofertuesit të vetëm, me një arsye krejtësisht ekonomike, duke qenë se për shkak të rritjes së kostove dhe efekteve të krizës. Kontraktori ka bërë një tërheqje, gjë të cilën Komisioni do vijojë me procedurën. Dua të rikujtoj faktin se edhe kryeministri u shpreh mbi projektin, e tha që ka aktorë që përpiqen ta frenojnë dhe ta sabotojnë”, u shpreh ministri Enea Karakaçi, duke shtuar se “do ndërtohet një skenar tjetër”.

Kujtojmë se më datë 9 mars, kreu i qeverisë Edi Rama kishte deklaruar se ka persona që duan që projekti i Porto Romanos të dështojë. Rama deklaroi se qeveria e di se kush janë këto persona. Ai shtoi se këta persona nuk do t’ja dalin dhe se projekti tek Porto Romano do të realizohet.

“Ndërtimi i portit të ri në Porto Romano parashikon 3-fishimin e kapaciteteve përpunuese aktuale. Ata që luftojnë projektin e Porto Romanos, ne e dimë se kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet. Unë nuk kam plan B, vetëm shoh BE-në. Për çdo gjë tjetër, jam tek C-ja“, deklaroi ai.

Gjithashtu, Karakaçi prezantoi edhe katër nisma të Ministrisë të Infrastrukturës dhe të Energjisë.

Sistemi i kanalizimeve për Durrësin, Spitallë, Shkozet, Porto Romano, 67 milion euro
“Trajtojmë ujërat e ndotur në impiant. Ujërat e shiut po ashtu do të trajtohen përmes tij”, tha ministri Enea Karakaçi.

Sa i përket hekurudhës Tiranë-Durrës: 11.7mln euro do të merren hua nga Banka Gjermane e Zhvillimit.
“Do të elektrifikohet, për zero emetime të karbonit. Së dyti, mund të vijohet edhe me përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe i jep zgjidhje fundore projektit”.

Dy vendimi shpronësimi: Një në hyrje të qytetit të Shkodrës dhe një shtesë për nyjen e Milotit.

Ligji për bastet sportive, Malaj: Kërkohet ende punë, është marrë ekspertizë ndërkombëtare

Ministri i Financave, Petrit Malaj, u shpreh se nga mbledhja e sotme e qeverisë, është miratuar një akt nënligjor që lidhet me bastet. Ai u shpreh se ka ende nevojë për punë kjo fushë, ndërsa theksoi se është marrë ekspertizë nga jashtë, në mënyrë që bastet të jenë sipas standardeve ndërkombëtare.

“Ministria e Financave është duke punuar me aktet nënligjore për bastet. Është edhe një akt që është miratuar sot në mbledhjen e qeverisë dhe shumë shpejt do të dalin të gjitha aktet e nevojshme në mënyrë që të mundësojmë edhe bastet online.

Kërkohet punë, është marrë ekspertizë ndërkombëtare në mënyrë që të jetë sipas standardeve ndërkombëtare“, tha Malaj.

Bastet online, një aktivitet që vijon masivisht në Shqipëri në mënyrë të paligjshme, po shkakton pasoja të rënda për qytetarët dhe buxhetin.

Afro 1 mijë e 400 persona janë proceduar në dy vitet e fundit nga policia, ndërsa më shumë se gjysma e tyre kanë përfunduar në arrest me burg, që nga shkurti i vitit 2024, kur ligji u miratua në Parlament. Shkak i kësaj vale arrestimesh është mungesa e ligjit, që nuk miraton aktet nënligjore, duke shkelur edhe afatet ligjore të vendosura nga Parlamenti për nxjerrjen e tyre.

Nafta po shtrenjtohet, rikthehet Bordi i Transparencës? Ibrahimaj: Monitorim çdo ditë!

Këtë të mërkurë, 11 mars, u mblodh për rreth 1 orë e gjysmë Këshilli i Ministrave. Ministrat komunikuan para godinës vendimet e marra, siç e do tradita.

“Miratuam në Komitetin e Planifikimit Strategjik, hartimin e dy dokumenteve, ai i politikave industriale dhe strategjia kombëtare për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, deklaroi Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj. Sipas saj, dokumentet kanë në fokus agjendën e gjelbër dhe digjitale.

Theksoi po ashtu se është miratuar një ligj në fushën e shërbimeve.

“Diskutuam dhe miratuam ligjin për lirinë dhe vendosje e shërbimeve në Republikën e Shqipërisë, i cili lidhet po ashtu me detyrimet që kemi me BE-në”, tha ministrja.

Sipas saj, ky ligj i ri prek një prej katër lirive të operimit të Bashkimit Europian.

“Garanton që në Shqipëri do të ketë të njëjtat rregulla, u çel rrugën kompanive të huaja që të vijnë më lehtësisht në Shqipëri dhe gjithashtu me integrimin të gjitha kompanitë shqiptare do të hyjnë në BE lirisht, pa pasur nevojë për licenca apo operime”, tha ajo.

U ndal edhe te rritja e çmimit të karburantit në vend.

“Kemi takuar tregtarët kryesorë të karburanteve dhe me Shoqatën e Hidrokarbureve për të diskutuar, për të ngritur alertin për rritjen e shpejtë të çmimeve gjatë javës së fundit, sigurisht të ndikuar nga kriza dhe lufta që po ndodh në Lindjen e Mesme. Diskutuam për detyrimin që ata kanë për mbajtjen e rezervës me qëllim që në asnjë rast të mos kalojmë në situatë emergjente.

Ne jemi duke monitoruar në mënyrë ditore, qoftë çmimet e bursës për lëngjet, nafta, benzina dhe gazi që hyjnë në vend, qoftë çmimin me të cilin karburanti del nga dogana dhe çmimin te tabelat kur del për tregtim”, sqaroi Ibrahimaj.

Teksa kujtoi krizën e viteve 2022-2023, tha se vendi ynë ka pasur eksperiencë me krijimin e një Bordi Transparence, që vendoste për shitjen me shumicë apo pakicë.

Megjithatë, ajo deklaroi se nuk jemi ende në situatën kur lind nevoja për ngritjen e një Bordi të tillë.

Kumbaro prezanton strategjinë e arsimit për 2026-27′: Do ndërkombëtarizojmë arsimin e lartë

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro sot në 11 mars ka prezantuar strategjinë e arsimit të qeverisë gjatë periudhës 2026-2027.

Kumbaro u shpreh se po punohet fort që mësuesit sidomos të pajisen me laptopë, duke futur sa më shumë që të jetë e mundur teknologjinë në arsim.

Ajo shtoi se një prioritet i qeverisë është edhe ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë. Sipas ministres, strategjia do të japë rezultate deri në vitin 2030.

“Do të hapim Liceun Francez në Korçë. Miratuam strategjinë e arsimit 2026-2027. Do të kemi reformën e të gjithë shërbimeve arsimore që zhvillohen sot dhe jemi duke bërë reformë në përfshirjen e teknologjisë në arsim gjerësisht, si për mësuesit, ashtu edhe për nxënësit. Ka nisur puna për rishikimin e ligjit për arsimin e lartë.

Do krijojmë mekanizma për të kontrolluar cilësinë në arsimin e lartë, të forcojmë kriteret për operatorët që veprojnë në arsimin e lartë, si dhe hapjen e arsimit të lartë drejt ndërkombëtarizimit. Kjo është e domosdoshme, që të përballemi me një treg të madh europian. Kjo strategji do të japë rezultate deri në 2030”, tha Kumbaro.