Kombëtarja shqiptare po stërvitet prej dy ditësh në Valencia të Spanjës për ndeshjen miqësore kundër Ukrainës, që do zhvillohet me 31 mars në Spanjë në orën 20:45. Kuqezinjtë shprehen njëzëri, se eliminimi nga ‘play-off’-i i Botërorit pas humbjes 2-1 kundër Polonisë, e ka vështirësuar përgatitjen për këtë duel.

“Besoj që kemi meritu shumë më shumë. Kemi pas shumë raste për shënim. Jemi të dëshpëruar se duke e parë se si shkoi ndeshja e kemi merituar të shkojmë në finalen e ‘play-off’-it të Botërorit. Nganjëherë kështu është futbolli: ta kthen shpinën. Fati nuk ishte me ne,”-u shpreh Ardian Ismajli, futbollist i Kombëtares.

“Jemi të mërzitur sepse besoj se bëmë ndeshje shumë të mirë. Patëm mundësi për të bërë 2-3 gola,”-deklaroi Anis Mehmeti, futbollist i Kombëtares.

Ndonëse u grumbullua me shumë bujë, për Anis Mehmetin trajneri Sylvinho nuk rezervoi asnjë minutë kundër Polonisë, ndërsa pritet që futbollisti i Ipsëich të luajë pas 3 vitesh me kombëtaren në miqësoren kundër Ukrainës.

“Kjo është krenari për mua dhe familjen time. Jemi të mërzitur për sfidën me Poloninë, por jemi duke punuar për të bërë një ndeshje të mirë kundër Ukrainës. Edhe pse është miqësore duhet të tregojmë vlerën tonë. Duhet të marrim rezultat pozitiv,”-tha Anis Mehmeti.

“Nuk është e lehtë pas sfidës me Poloninë, por ne jemi profesionist dhe duhet ti kalojmë këto sfida. Do besojmë që kundër Ukrainës të bëjmë një rezultat pozitiv,”-deklaroi Ardian Ismajli.

Për miqësoren kundër Ukrainës, ndryshe nga dueli me Poloninë, të disponueshëm nuk janë Arlind Ajeti dhe Ylber Ramadani, ndërsa sipas të gjitha gjasave kjo mund të jetë ndeshja e fundit e Sylvinho-s si trajner i Shqipërisë.