Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka folur këtë të premte në një konferencë për mediat ku ka shprehur publikisht vendimin për shpërndarjen e parlamentit të Kosovës dhe thirrjen për zgjedhjet e reja të parakohshme në Kosovë. Osmani ka thënë se nuk ka qenë ndonjëherë me krenare, sipas saj, për këtë vendim të marrë.

“Pyetja nuk është nëse do të ketë zgjedhje. Pyetja e vetme është sa do të kenë sukses disa që t’i zvarrisin ato? Pra pyetja e vetme është kur është data e zgjedhjeve? Qytetarët s’kanë nevojë për vonesa të reja. Kanë nevojë të dëgjohet qartë zëri i tyre. Kanë nevojë për qartësi, institucione që funksionojnë dhe jo që janë në funksion të zvarritjes. Kanë nevojë për një politikë që nuk frikësohet nga përgjegjësia. Jam plotësisht e vetëdijshme se ky dekret mund të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese dhe dua ta them hapur: kurrë s’kam qenë më krenare sesa për këtë vendim. Jam shumë e qetë të përballem me një kontestim për veprim në mbrojtje të Kushtetutës sesa për mosveprim kur rrezikohen themelet e saj sepse në një republikë kushtetuese përgjegjësia më e madhe është të qëndrosh në anën e Kushtetutës dhe interesit të republikës”, tha Osmani.