Parlamenti Europian miratoi të enjten (26 mars) një propozim ligjor që lejon dërgimin e azilkërkuesve dhe emigrantëve pa dokumente në qendra jashtë Bashkimit Europian, në një lëvizje që kritikët e cilësuan si një “pengesë historike për të drejtat e refugjatëve”.

Sipas planit të votuar, personat që nuk kanë të drejtë qëndrimi në BE mund të mbahen të ndaluar deri në dy vjet ose të dërgohen në qendra jashtë vendit, të cilat ekspertët paralajmërojnë se mund të shndërrohen në “vrima të zeza të të drejtave të njeriut”. Ligji aktual parashikon një periudhë maksimale ndalimi prej 18 muajsh.

Projektligji, i hartuar në mars 2025, synon të krijojë një “politikë të besueshme të kthimit me forcë”, për të siguruar që njerëzit të cilëve u është mohuar azili ose kanë tejkaluar afatin e vizës të largohen nga BE-ja. Zyrtarët e Brukselit thonë se aktualisht vetëm rreth një në pesë persona nën një urdhër kthimi deportohen në vendin e tyre të origjinës.

Sipas planeve, njerëzit mund të mbahen të ndaluar nëse konsiderohen rrezik për sigurinë, ka gjasa të arratisen ose pengojnë procesin e kthimit. Ligji i ri gjithashtu propozon sanksione penale për ata që pengojnë një vendim kthimi dhe lehtëson vendosjen e ndalimeve hyrëse për jetë. Autoritetet kombëtare do të kenë kompetenca më të gjera për kontrollin e moshës për të përcaktuar nëse dikush është nën 18 vjeç.

Vota e Parlamentit hap rrugën që shtetet anëtare të BE-së të negociojnë me vende të tjera për të krijuar “qendra kthimi” jashtë Evropës, ku njerëzit e deportuar do të mbahen ndërsa presin kthimin në vendin e tyre të origjinës. Gjermania, Holanda, Austria, Greqia dhe Danimarka po punojnë së bashku për këtë koncept. Ndryshe nga plani i braktisur i Mbretërisë së Bashkuar me Ruandën, qendrat e reja do të përdoren për njerëzit që u është mohuar azili, jo për ata që kërkojnë për herë të parë mbrojtje.

Vota, e miratuar me 389 pro, 206 kundër dhe 32 abstenime, tregon një forcim të pozicionit të djathtë të Parlamentit Europian, që nga zgjedhjet e vitit 2024.

“Epoka e deportimeve ka filluar. Një sistem funksional migrimi duhet të sigurojë që ata që nuk kanë të drejtë ligjore për të qëndruar të kthehen në mënyrë efektive”, deklaroi Charlie Weimers, eurodeputet i ekstremit të djathtë nga Suedia.

Nga ana tjetër, Mélissa Camara, eurodeputete franceze e të Gjelbërve, kritikoi votimin.

“Është një votë turpi që i jep dritën jeshile ndalimit të fëmijëve dhe krijimit të qendrave të kthimit jashtë BE-së. Historia do të kujtojë se grupi i moderuar i qendrës së djathtë bashkëpunoi me ekstremistët për këtë ligj”, tha Camara.

Tensionet u bënë të dukshme këtë muaj, pasi u raportua se grupi i qendrës së djathtë PPE dhe nacionalistët e ekstremit të djathtë përdorën WhatsApp dhe takime ballë për ballë për të negociuar ligjin, pavarësisht ndalimeve të udhëheqësve qendrorë si kancelari gjerman Friedrich Merz.

Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) e përshkroi votimin si “një pengesë historike për të drejtat e refugjatëve”.

“Ky ligj do t’i zhveshë njerëzit nga të drejtat dhe mbrojtjet bazuar në statusin e tyre migrator dhe do të hapë rrugën për një regjimi të ri ndëshkues të azilit në BE”, u shpreh Marta Welander, drejtoreshë e avokimit të IRC-së në BE.

Profesionalët e kujdesit shëndetësor paralajmëruan se ligji mund t’i bëjë ata “instrumente të zbatimit të ligjit për imigracionin”, duke rrezikuar shëndetin publik, dhe mbi 1,100 profesionistë kërkuan që eurodeputetët ta refuzojnë ligjin para votimit.