Detaje të reja janë bërë publike lidhur me protestën e thirrur nga opozita, e cila pritet të zhvillohet këtë të diel në orën 18:00 përpara godinës së Kryeministrisë.
Ndryshe nga tubimet e mëparshme, këtë herë nuk parashikohen fjalime nga eksponentë politikë. Protesta pritet të marrë formën e një marshimi, me lëvizje të vazhdueshme të turmës dhe jo përqendrim të vetëm në një pikë të caktuar. Itinerari i plotë mbetet ende në diskutim nga organizatorët, ndërsa theksohet se nuk do të ketë një regji qendrore të aktivitetit.
Në kuadër të mbarëvajtjes së tubimit, autoritetet kanë angazhuar mbi 1400 efektivë policie, të cilët do të jenë të shpërndarë në disa pika kyçe të kryeqytetit. Përveç zonës përpara Kryeministrisë, prani e shtuar policore do të ketë edhe pranë Parlamentit dhe institucioneve të tjera të rëndësishme, si dhe në zona të ndryshme të Tiranës.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka njoftuar për kufizime në qarkullimin e automjeteve në disa nga rrugët kryesore. Konkretisht, nga ora 09:30 deri në përfundim të protestës do të bllokohet bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”. Po ashtu, nga ora 15:00 e pasdites do të bllokohen edhe rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Opozita ka zgjedhur datën 22 mars për këtë protestë për shkak të simbolikës historike, pasi kjo ditë përkon me fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1992, pas rënies së regjimit komunist në vend.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet në zonat e bllokuara dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për çdo ndryshim në qarkullim.




















