PërjashtimI i Arlind Boshkut dhe Dritan Burgisë nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike të Durrësit, pas mbështetjes së tyre kundrejt Ervin Salianjit, shihet nga ish-deputeti Petro Koçi si treguesi i rradhës që PD është në ditët e saj më të zeza.

I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV, Koçi tha se pretendimi i PD-së që shumë prej përfaqësuesve të saj në nivel vendor kanë bashkëpunuar me dhe për Partinë Socialiste në fushatën zgjedhore të fundit, rrëzon tezën e Sali Berishës që zgjedhjet janë vjedhur.

“PD është në ditët e saj më të zeza. Është në krizë politike, morale dhe organizative. Ka kapërcyer vetëm krizën juridike në rastin e përplasjes Basha-Berisha dhe në të tjerat noton në të njëjtat ujëra. Sot PD është me keq se në 1997, sepse atëherë kishte një bazament të qëndrueshëm elektoral ku njerëzit besonin tek Sali Berisha dhe nuk e ngarkonin me përgjegjësi për zhvillimet deri në 97. Sot situata është krejt tjetër dhe dëshmon se PD është në greminë. Pretendimi i PD që shumë prej përfaqësuesve të saj në nivel vendor kanë bashkëpunuar me dhe për PS në fushatën zgjehdore të fundit, rrëzon tezën që zgjedhjet janë vjedhur. Si mund të fitonte një parti, kur një pjesë e saj paska punuar për kundërshtarin politik? Zgjedhjet nuk kanë qenë perfekte. Ka probleme qe i ka identifikuar edhe OSBE/ODIHR por mbeshtetja elektorale për PD ka qenë në minimumin historik. Në 2021 kishte iluzione se mund të kishte rotacion politik. Në 2025, edhe militanti më i thekur i PD nuk kishte asnjë shpresë se mund të fitonte PD dhe Berisha zgjedhjet. Këto zhvillime tregojnë që PD po shkurton këmbët e veta. Është një strategji e gabuar. Nuk është në shërbimin e demokracisë që PD të vazhdojë e të dobësojë vetveten. Shqipëria duhet të ketë një opozitë të dinjitetshme të moralshme e të shëndetshme e jo thjesht të fortë që të bëjë akte dhune e të sulmojë institucionet. Kjo gjuhë force nuk të rrit kredibilitetin në publik. Këto veprime përjashtuese dëmtojnë interesin e opozitës dhe forcojnë mazhorancën” tha ai.