Pas përfundimit të ndeshjeve në grupe kampionati i “Sunday League” ka hyrë në një tjetër fazë, atë të përballjeve me eliminim direkt nga gara.
Mbrëmjen e djeshme është zhvilluar ndeshja e fundit e fazës “Play Off”, ku në kompleksin “Football Republic” u vënë përballë njëra – tjetrës Barrikada dhe Jata Market.
Fusha e lojës prodhoi një ndeshje të luftuar deri në fund teksa u deshën gjuajtjet e penalltive për të vendosur ekipin që avancon më tej.
Me Shetën të pezulluar për arsye të incidentit të regjistruar në finalen e kupës si pasojë e arbitrimit skandaloz, tekniku Biba aktivizon Bejzaden si qendër – mbrojtës.
Nëse në këtë repart zgjedhja është e kushtëzuar, trajneri tregohet i guximshëm me repartin e mesfushës teksa ul Nelin në stol dhe, si në asnjë ndeshje të kampionatit, aktivizon nga fillimi mesfushorin Leon Çota. Ndërkohë në sulm aktivizimi i Mehmetllarit nga minuta e parë tregon se numri 9 është rekuperuar plotësisht duke lënë pas dëmtimin muskular.
Për mënyrën e interpretimit të kampionatit përgjatë 15 – javëve Barrikada vinte disi më e avantazhuar në këtë sfidë por fusha e lojës tregoi se në këtë fazë diferencat zerohen dhe rrugëtimi drejt titullit kampion varet serioziteti, angazhimi maksimal dhe luftimi në çdo centimetër deri në sekondën e fundit.
ZHVILLIMI I NDESHJES
Jata Market gjen rrugën e rrjetës që minutën e tretë. Goditja e dënimit nga krahu i majtë kap pa përgatitur mbrjtjen e Barrikadës teksa topi i hedhur në zonë që nuk largohet as nga Bejzade e as nga Sallufi përfundon në këmbët e lojtarit me numrin 5, Aliai, i cili tërësisht i vetëm shënon dhe kalon Jatën në avantazh. 1 – 0 në vetëm tre minuta lojë dhe për Barrikadën ndeshja komplikohet, shtuar këtu edhe presionin e finalës së kupës.
Reagimi përgjatë gjithë pjesës së parë mbetet i vakët. Me Bejzaden të tërhequr reparti i mbrojtjes dhe mesfushës mbeten thuajse tërësisht të shkëputur. Për pasojë sulmi e ka të pamundur të tentojë portën kundërshtare.
Inkursionet e Berberit dhe Mehmetllarit nga njëra anë, Bakaj e Çota që tentojnë hera – herës kudratin e portës kundërshtare rezultojnë pa sukses. Nga ana tjetër gardiani ‘Susko’ bën dy ndërhyrje vendimtare duke neutralizuar goditjet e sulmuesëve të Jatës.
Teksa pjesa e parë po shkonte drejt shifrave 1 -0 Sallufi ‘shpik’ golin që vendos barazpeshën. Kapiteni merr një top nga Bakaj avancon pak metra dhe nga rrethi i mesit të fushës dhe lëshon një silurë me të majtën, e cila ndalet në rrjetë. Tifozët, që si gjithmonë nuk mungojnë, shpërthejnë në festë. 1 -1 dhe koha për pushim.
Pjesa e dytë ofron dy ekipe të kujdesshme me lojë të balancuar me përjashtim të disa rasteve të Barrikadës që gjen ekuilibrin pas rikthimit të Bejzades në pozicionin e tij natyra.
Po ashtu aktivizimi i Xhoxhajt në vend të Çotës i jep frymëmarrje fazës ofensive teksa krijohen tre raste për gol.
I tillë është edhe rasti i Gjokës i cili i gjendur përballë portierit vonon goditjen dhe humbet një tjetër shans që mund të mbyllte ndeshjen. Kështu ndeshja mbyllet në shifrat 1 – 1. Goditjet nga pika e bardhë kualifikojnë Barrikadën me rezultatin 5 – 3. Në çerekfinale djemtë e drejtuar nga tekniku Ardit Biba do të përballen me ekipin e Dymbëdhjetës.




















