Kriza energjetike globale po hyn në një fazë edhe më të ndjeshme, ndërsa Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë Bashkimin Europian me masa që mund të ndikojnë drejtpërdrejt furnizimin me gaz.
Administrata e Donald Trump ka sinjalizuar se mund të kufizojë aksesin e favorshëm të Europës në gazin natyror të lëngshëm (LNG), nëse nuk arrihet një marrëveshje për tarifat tregtare mes palëve. Corriere della Sera në një artikull të saj, analizon situatën në Europë dhe mundësinë e një krize globale.
Racionim karburanti në disa vende
Slovenia është ndër vendet e para në Europë që ka vendosur kufizime, duke ndaluar shitjen e benzinës dhe naftës mbi 50 litra në ditë. Masa synon të frenojë edhe fenomenin e grumbullimit të karburantit nga qytetarë të vendeve fqinje si Italia dhe Austria.
Në të njëjtën linjë, edhe vende të tjera, përfshirë ekonomi në zhvillim si Pakistan, Vietnam, Sri Lanka, Bangladesh dhe Myanmar, po kufizojnë konsumin e energjisë. Masat përfshijnë mbylljen e përkohshme të shkollave, punën nga shtëpia për administratën dhe kufizime strikte në blerjen e karburantit.
Paralajmërimi për një valë të dytë krize
Ekspertët paralajmërojnë se vala e dytë e krizës së mungesës së produkteve të naftës ende nuk ka arritur kulmin. Vende të mëdha si Kina, India dhe Brazili po kufizojnë ose taksojnë eksportet e karburanteve, duke mbajtur për vete burimet strategjike, një sjellje e ngjashme me atë të fillimit të pandemisë në vitin 2020.
Kjo ka shtuar presionin mbi tregjet globale dhe ka rritur çmimet e energjisë, sidomos për derivatet e naftës.
Kërcënimet e SHBA-ve ndaj BE-së
Në këtë kontekst të tensionuar, administrata e Donald Trump ka paralajmëruar Bashkimin Europian se mund të humbasë aksesin “e favorshëm” në furnizimet me gaz natyror të lëngshëm (LNG), nëse nuk ratifikon marrëveshjen tregtare të arritur më parë me Ursula von der Leyen.
Paralajmërimi vjen në një moment kur Europa është bërë shumë e varur nga LNG amerikan, që përbën një pjesë të madhe të importeve të gazit .
Sipas sinjaleve nga Uashingtoni, ndryshimi i kushteve ekonomike të furnizimeve me gaz mund të përdoret si mjet presioni nëse marrëveshja nuk miratohet pa ndryshime.
Marrëveshja dhe përplasja për tarifat
Marrëveshja parashikon tarifa rreth 15% për produktet europiane që hyjnë në SHBA dhe tarifa minimale për mallrat amerikane në BE. Megjithatë, baza ligjore e këtyre tarifave është vënë në pikëpyetje edhe nga vetë Gjykata Supreme amerikane.
Pavarësisht hezitimeve, Parlamenti Europian ishte drejt ratifikimit, por kërcënimet e fundit, të artikuluara edhe nga ambasadori amerikan në BE, mund të ndikojnë drejtpërdrejt në vendimmarrje.
Një krizë me dimension global
Situata energjetike është bërë edhe më e brishtë për shkak të tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, që kanë çuar në rritje të çmimeve dhe frikë për mungesa në Europë .
Në këtë panoramë, energjia po përdoret gjithnjë e më shumë si instrument presioni politik dhe ekonomik, duke e vendosur Europën përballë një situate potencialisht të vështirë.




















