Një provë klinike me pika atropine me përqendrim të ulët po zhvillohet këtë të enjte në Shërbimin e Pediatrisë së Specialiteteve pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT), me qëllim ngadalësimin e progresit të miopisë te fëmijët.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë, e cila e cilëson këtë si një mundësi të rëndësishme për të kontrolluar rritjen e numrit të syzeve dhe për të parandaluar komplikacionet në të ardhmen.
Sipas njoftimit, në këtë provë klinike mund të marrin pjesë fëmijët e moshës 3 deri në 18 vjeç që vuajnë nga miopia progresive.
Prindërit e interesuar mund të paraqiten pranë shërbimit përkatës deri më 31 mars 2026, për të përfituar nga trajtimi me medikamentin në kuadër të kësaj nisme.
Autoritetet shëndetësore theksojnë rëndësinë e diagnostikimit dhe trajtimit të hershëm të çrregullimeve të shikimit, veçanërisht te moshat e reja, për të shmangur probleme më serioze në të ardhmen.















