Kryeministri Edi Rama pas inspektimit të aksit Librazhd-Prrenjas ka para banorëve të zonës lidhur me projektin e Korridorit VIII. Rama theksoi se projekti nuk u pranua fillimisht nga BE-ja si një korridor europian. Sipas tij refuzimi erdhi nga disa vende të BE-së.

“Korridori VIII ka qenë prej kohësh i kuptuar dhe i deklaruar strategjik por nuk ka qenë i pranuar nga BE si një korridor europian. Arsyeja ka qenë se jo të gjitha vendet e BE e dëshironin këtë korridor dhe ka pasur gjithmonë refuzim nga ana e BE për ta përfshirë në korridoret europiane sepse përfshirja i jep një korridori vlerën si një aset i BE.

Duke qenë aset i BE, bëhet i financueshëm nga fondet europiane ose që mund të merren nga organizatat financiare. Ka qenë puna, diplomacia jonë që në samitin e zhvilluar në Tiranë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor ky korridor u fut në rrjetin europian. Natyrisht që duke u bërë kjo, jo vetëm u kuptua natyra strategjike e tij, por edhe rëndësia”, tha ai.

Rama më tej shtoi se ky projekt është shumë i madh për t’u zhytur në baltë.

“Korridori duhet të ndërtohet edhe në vendet që i kemi ngjitur apo më pas, në RMV e Bullgari. Përpjekja jonë për një krah ushtarak do ta bëjë edhe më të rëndësishëm dhe do të rrisë në mënyrë të jashtëzakonshme vlerën e tij, pronës dhe impaktin ekonomik e social. Është vepër shumë e madhe për t’u zhytur në baltën e makinerisë që veç e prodhon”, tha Rama.