Ashtu siç paralajmëroi se grupin socialist do ta mbledhë në mënyrë periodike çdo muaj, Edi Rama ka thirrur sërish deputetët për një analizë pune dhe sfidat parlamentare.
Ligjvënësit socialistë do t’i mbledhë të shtunën në orën 11:00 në pallatin e kongreseve ndërsa në fokus të diskutimeve do të jetë strategjia e komunikimit publik dhe me qytetarët, që do të prezantohet nga Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Eriona Ismaili.
Para grupit socialist dhe kryeministrit Rama do të raportojë edhe Arbjan Mazniku, bashkëkryetari i reformës territoriale. Puna e deritanishme e komisionit dhe ecuria e procesit në një kohë kur afatet janë të kufizuara dhe komisioni duhet të dalë me një draft brenda muajit korrik, pritet tw jenw pjesw e raportimit.
Ajo çka bie në sy është edhe raportimi i Drejtoreshës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobellit dhe jo para kuvendit, por para grupit socialist në Pallatin e Kongreseve. Një raportim jo i zakontë për “Kadastrën”, institucion në varësi të Kryeministrit.
Më herët, Kreu i Qeverisë ka paralajmëruar ndryshime në këtë agjenci që nisën me zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës drejt kryeqytetit, e që siç paralajmëroi vetë Rama do të vijojë edhe me drejtori të tjera.
Mbledhja e së shtunës do të nisë me fjalën e kryetarit të grupit parlamentar, Taulant Balla dhe më pas me fjalën e kryeministrit Rama.
Deputetët do të kenë mundësinë e diskutimeve për çdo temë që do të trajtohet, me një pikëpyetje të madhe nëse do të trajtohet edhe përplasja në distancë e Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit.
Balla e Spiropali u përfshinë në replika publike për shkak të thyerjes së vendimit politik nga ana e ish-ministres
Mungesa e ish-ministres Spiropali në parlament kur grupi socialist votoi kundër heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut u lexua si thyerje e vendimit politik të mazhorancës. Kryeministri Rama ia kaloi këtë detyrë Taulant Ballës, ndërsa ky i fundit tha se do të konsulohet në grup për masa të mundshme ndaj ish-ministres.




















