Mbrëmjen e kësaj të premteje, më 27 mars, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Njësinë Nr.2 në kryeqytet.

Në këtë takim ai është i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi, i cili në mbledhjen e Asamblesë të zhvilluar më 22 mars, u caktua si një nga drejtuesit politikë të kësaj njësie.

Mësohet se në këtë takim do të bëhet prezantimi i drejtuesve politikë të Njësisë Administrative Nr.2, ku përveç Klosit, janë caktuar edhe Gent Gazheli, ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe zv.ministrja Olta Manjani.

Ndërkohë sjellim ndërmend se nesër, më 28 mars, Rama do të mbledhë grupin Parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave.

Takimi do të nisë në orën 11:00 dhe në fokus do të jetë strategjia e jetës parlamentare socialiste në vazhdim, me thellim në çështjen priorioritare, atë të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

I pari që do të mbajë fjalën do të jetë kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Pas tij, do të mbajë fjalimin e tij, kreu socialist Edi Rama.

Pas kësaj, do të ketë raportime nga eksponentë të lartë socialistë. Kështu, pritet që të raportojë drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli. Më tej, do raportojë Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku.

Në pjesën e prezantimit të Strategjisë së Komunikimit do të mbajë fjalën ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.