Kryeministri Edi Rama këtë të premte e ka nisur ditën duke postuar në rrjetet sociale një urim për Fitër Bajramin.
Në një foto të shpërndarë në rrjetet sociale, Rama uron besimtarët për këtë festë, nëpërmjet një imazhi ku ilustrohet libri i Kuranit dhe një flutur.
Postimi i Kryeministrit Edi Rama:
“MIRËMËNGJES
GËZUAR FITËR BAJRAMIN”
Fitër Bajrami shënon përmbylljen e agjërimit njëmujor dhe lidhet ngushtë me aktin e bamirësisë. Para festës, besimtarët japin lëmoshë për të ndihmuar familjet në nevojë, me qëllim që gëzimi i kësaj dite të ndahet nga të gjithë. Kjo festë, e sanksionuar në traditën islame, vjen si shpërblim shpirtëror pas sakrificës së Ramazanit, njësoj si Kurban Bajrami që festohet më vonë gjatë vitit.
Një nga elementët qendrorë të kësaj dite është falja e namazit të Bajramit, një ritual i veçantë që kryhet në orët e para të mëngjesit dhe që dallon nga faljet e zakonshme për nga forma dhe përmbajtja e tij.




















