“Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet të rritet edhe më tutje, për këtë ne kemi vendosur në lëvizje bordin e transparencës, çka e kemi përdorur siç e mbani mend edhe më parë, dhe po ashtu kemi marrë edhe një vendim që për çdo ditë kur çmimi do të kërcejë mbi tavanin e 220 lekëve do ketë menjëherë ulje me 20% të akcizës së naftës. Deri tani nuk shikoj impakt në çmime të tjera, por fatmirësisht jemi në kushtet kur kemi një borxh dhe një deficit jo vetëm nën kontroll, por edhe goxha atë nivel që na mundëson që në momente të tilla të kemi edhe një hapësirë në dispozicion për të mos lënë vetëm askënd duke pasur parasysh në radhë të parë ata që kanë më shumë nevojë. Për të adresuar edhe një herë çdo diskutim legjitim dhe çdo propozim që vjen nga rrugë të ndryshme në mjedisin publik, ne këtu në këtë fazë që nuk e di askush sa do të zgjasë, në radhë të parë kemi në vëmendje pensionistët dhe nuk do të bëjmë asgjë që nuk do të shkojë për të siguruar ata së pari. Në fund të ditës, nëse çmimet impaktohen, pensionistët janë ata që e vuajnë më shumë se sa të tjerët impaktin mbi çmimet.
Nga ana tjetër kemi deklaruar më parë dhe tani jemi në një fazë të avancuar të formësimit të një entiteti shtetëror i cili do të ndërhyjë në tregun e naftës që do të krijohet së shpejti. Është duke u punuar për këtë dhe që do të marrë përsipër një veprimtari që do të shkojë nga garantimi i rezervës shtetërore, te monitorimi i vazhdueshëm i tregut dhe pa tjetër edhe te sigurimi i furnizimit për të mos lejuar asnjë spekulim me çmimet. Jemi në fund të një procesi që do të materializohet në 1 apo 2 muaj në vijim për të futur komponentët e rinj në monitorimin e tregut të naftës, që do të sjellë rezultate të shpejta edhe në aspektin e evazionit dhe kontrabandës së naftës, e cila vazhdon të jetë prezente në sektor. Njëri është produkti i kompanisë AlbTrace për një ngjyrim të një indikator komplet tjetër të naftës, dhe tjetri është një tjetër produkt i kompanisë AlbTrace për ndjekjen në kohë reale të gjithë qarkullimit të naftës tranzit”,- tha Rama.
















