Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i është bashkuar një takimi të ministrave të Jashtëm të vendeve të G7 në France, ku në qendër të diskutimeve pritet të jetë përshkallëzimi i konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iran.
Rubio pritet të përballet me presion nga aleatët për të ndihmuar në uljen e tensioneve, ndërsa shqetësimet për ndikimin e konfliktit në ekonominë globale vijojnë të rriten.
Vendet e tjera të G7-ës – Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Gjermania, Italia dhe Japonia janë shprehur të kujdesshme ndaj përshkallëzimit ushtarak. Në takim do të diskutohet gjithashtu edhe lufta në Ukraine.
Gjatë udhëtimit drejt Francës, Rubio u shpreh se është në interes të vendeve të G7-ës të ndihmojnë në stabilizimin e situatës në Ngushticën e Hormuzit e cila është bllokuar në mënyrë efektive nga Irani, duke shkaktuar rritje të çmimeve të karburantit.
Ndërkohë, Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, deklaroi se është e nevojshme një zgjidhje e shpejtë e konfliktit që të rikthejë stabilitetin rajonal, duke përfshirë edhe situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë kalon zakonisht përmes kësaj ngushtice, dhe konflikti ka rritur shqetësimet për rritjen e çmimeve dhe mungesat e mundshme në tregjet globale.
Ministrat e G7-ës kanë deklaruar më herët se janë të gatshëm të ndërmarrin “masat e nevojshme” për të mbështetur furnizimin global me energji.
Në një takim të zhvilluar një ditë më parë, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, theksoi nevojën për një “qëndrim të përbashkët” me SHBA-në për t’i dhënë fund sa më shpejt konfliktit. Ai shtoi se bisedimet me Rubion do të jenë kyçe dhe se Franca dhe Britania ndajnë të njëjtin qëndrim.
Ndërkohë, disa orë para nisjes së Rubios drejt Francës, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kritikoi sërish NATO, duke deklaruar se aleatët nuk kanë bërë “asgjë” për të ndihmuar në përballimin e situatës.




















