Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar pas vendimit të Partisë Demokratike për të përjashtuar kryetarin e grupit të këshilltarëve dhe sekretarin e degës së Durrësit. Sipas tij, ky akt është një shenjë e deformimit të sjelljes politike brenda opozitës.
“Humbësat përjashtojnë fituesit. Humbësat duan të zgjedhin votuesit e tyre. Ky është deformimi i madh i sjelljes politike që ka sjell humbjet e njëpasnjëshme të opozitës. Në vend të kthehen tek themeli, tek vota për të nisur rrugën e fitores, përjashtojnë demokratët,” shkruan Salianji.
Ai e ka konsideruar veprimin si të paimagjinueshëm për vitin 2026, duke theksuar se përjashtimi i dy kontributorëve dhe sakrifikuesve të partisë tregon “depresionin dhe frikën” e lidershipit. “Frika nga gara nuk është lidership! Dy këshilltarët në Durrës u përjashtuan sepse mbështesin një ide: garën. Kjo nuk është forcë. Kjo është frikë,” shton ish-deputeti.
Salianji ka theksuar gjithashtu se Partia Demokratike nuk është pronë private: “Është e demokratëve dhe demokratët nuk përjashtohen! Ata votojnë, ata zgjedhin!”
Vendimi i PD-së për përjashtimin e këshilltarëve ka krijuar reagime të forta brenda dhe jashtë degës lokale të Durrësit, ndërsa debati mbi lidershipin dhe drejtimin e partisë pritet të vazhdojë.
Konfirmohen dy largimet e para nga Partia Demokratike, dega Durrës. Ata janë të dy anëtarë të Këshillit Bashkiak, të cilët përjashtohen nga grupi për shkak të mbështetjes që i kanë dhënë ish-deputetit Salianji, i cili zhvilloi një takim me demokratët pak kohë më parë në qytetin bregdetar.
Gjithashtu, Boshku është shkarkuar nga posti që mban si sekretar i përgjithshëm i degës.
Përmes këtij vendimi, këshilltarëve në Durrës u propozohet si kandidat për kreun e grupit të Këshillit Bashkiak Ardian Muka, ish-kreu i degës, i cili dha dorëheqje pak kohë më parë.
Vendimi i plotë
PËR NDRYSHIMET NË GRUPIN E KËSHILLTARËVE TË PDSH NË KËSHILLIN BASHKIAK DURRËS”
Në mbështetje të nenit 24, 40 dhe 48 të statutit të PDSH dhe Rregullores së Brendshme, Kodit të Sjelljes së mirë, Etikës dhe Integritetit të PDSH, dhe nenit 33 të Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”,
VENDOSI:
Z. Dritan Burgija dhe Z. Arlind Boshku përjashtohen nga Gupi i Këshilltarëve Bashkiak të PDSH në Bashkinë Durrës në mbështetje të Statutit të PDSH neni 24 pika 1 dhe 2 dhe në shkelje të nenit IV pika 2 të Rregullores së Brendshme;
I propozojmë grupit të Këshilltarëve Bashkiak Z. Ardian Muka si kandidat për Kryetar të Grupit të Këshilltarëve Bashkiak të Partisë Demokratike të Shqipërisë në Këshillin Bashkiak Durrës.




















