Shqipëria shënon progres nga viti i kaluar në raportin më të fundit nga “Freedom House” “Liria në Botë 2026”. Në këtë vlerësim global mbi gjendjen e demokracisë dhe lirive në botë, vendi klasifikohet si “pjesërisht i lirë”, duke grumbulluar 69 pikë nga 100 të mundshme, një më shumë sesa raporti i vitit 2025.

Shqipëria vlerësohet më lartë në rajon, duke u renditur mbi vendet e tjera, konkretisht: Malin e Zi me 68 pikë, Maqedoninë e Veriut me 67 pikë, Kosovën me 61 pikë dhe Serbinë me 53 pikë.

Sipas raportit, liria fetare dhe liria e tubimit përgjithësisht respektohen, duke e pozicionuar vendin pozitivisht në fushën e lirive civile, me 41 pikë nga 60. Ndërkohë që në fushën e të drejtave politike, Shqipëria renditet me 28 pikë nga 40 të mundshme.

Gjithashtu, Freedom House vlerëson punën e qeverisë për të adresuar korrupsionin në sistemin e drejtësisë, si një prej problematikave më të mëdha të vendit.

Gjetjet kryesore të raportit evidentojnë se liria në nivel global ra për të 20-in vit radhazi në vitin 2025. Në total, 54 vende shënuan përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive civile, ndërsa vetëm 35 vende patën përmirësime.