Në mbrëmjen e 6 marsit, stadiumi në “Shtëpinë e Futbollit” në kryeqytet do të oshëtinte nga jehona e tifozëve të futbollit amator të klubit Barrikada FC. Në atë mbrëmje, do të luhej finalja e kupës të FSHF Sunday League Albania midis ekipeve Barrikada FC dhe FC Dajti, në një ndeshje që sipas ekipit të Barrikadës do mbahet mend për padrejtësitë arbitrare.
Rreth 500 tifozë të Barrikadës shpërthyen me britma dhe flakadanë pasi sipas kapitenit të Barrikadës Lorenc Sallufi, arbitri dha një penallti të diskutueshme që ndryshoi fatin e finales.
Në një intervistë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, kapiteni Sallufi akuzon arbitrin Mikele Dyrmishi për njëanshmëri, duke thënë se emocionet dhe zemërimi i tifozëve tregojnë qartë se pasioni u godit padrejtësisht.
Festa e rreth 500 tifozëve të këtij ekipi, një numër i lartë për Sunday League, që mund të krahasohet me pjesëmarrjen e tifozerisë në Superiore, nisi në mënyrën më të bukur, por u kthye shpejt në tension dhe zemërim.
Sipas kapitenit të Barrikadës Sallufi, dyshimet për njëanshmëri ishin që në minutat e para të ndeshjes.




















