Nga Eduard Zaloshnja
“Si s’më ke anketuar asnjëherë në dy dekadat e fundit”, më pyeti sot në rrugë një zonjë mbi të 60-at, që më tha me butësi se i kishte ndjekur sondazhet e mia ndër vite. Të njëjtën pyetje ma kanë bërë dhjetar të panjohur në rrugë në dy dekadat e fundit (disa edhe me tërsëllëm).
Më poshtë është një përgjigje e gjatë statistikore për këtë pyetje të shkurtër naive.
George Gallup (1901–1984) themeloi më 1935 Institutin Amerikan të Opinionit Publik, pararendësin e kompanisë së sondazheve Gallup. George Gallup u përpoq t’i bënte sondazhet e kompanisë së tij sa më të sakta, duke marrë kampione demografike përfaqësuese të votuesve të secilit shtet. Gallup gjithashtu refuzoi të kryente sondazhe të porositura nga entitete të tilla si Partia Republikane apo Demokratike, një pozicion që kompania ka vazhduar ta mbajë deri më sot.
Revolucioni statistikor që bëri George Gallup lidhej me faktin se, duke ndërtuar një kampion statistikor përfaqësues shumë të vogël (sa 1/100000 e popullsisë së atëhershme amerikane), arriti të maste opinionin publik amerikan me marzh gabimi statistikor vetëm +/- 3%. Më parë, disa revista prestigjioze i kryenin sondazhet përmes letrave që ua dërgonin lexuesit (sindozot sondazhet online të portaleve, ku votojnë lexuesit e tyre). Por sondazhet e revistave të atëhershme dështuan, megjithëse kishin secila nga mbi 5 milionë të vetë-anketuar…
Në vitin 1936, kompania Gallup parashikoi me sukses se Franklin Roosevelt do ta mposhtte Alfred Landon për presidencën e SHBA, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me revistën prestigjioze The Literary Digest. Dhe ajo ngjarje e popullarizoi kompaninë, duke e bërë atë lidere në sondazhet amerikane.
Në ditët e sotme, vlera e kompanisë Gallup mbetet tek sondazhet afatgjata, e jo për të matur luhatjet e opinionit nga java në javë – një sondazh rigoroz në terren sipas metodës Gallup zgjat rreth 2-3 javë në terren, e kur dalin rezultatet e tij, opinioni publik mund të jetë luhatur prej zhvillimeve më të fundit. Prandaj edhe Gallup ka kohë që përqendrohet në sondazhe afatgjata të opinionit, që eksplorojnë çështje fondamentale të pandikuara shumë nga luhatjet e ditës.
Teknologjia ka përparuar me hapa gjigande kohët e fundit – në skenë kanë dalë instant-polls, që realizohen në mënyrë elektronike përmes teknikave të ndryshme. (Unë, psh, kam zhvilluar deri më sot plot 127 sondazhe me shpërndarje të linkut të pyetësorit përmes SMS-ve krejt të rastësishme në teritorin e Shqipërisë, përtej 70 të tjerave që i kam drejtuar sipas metodës së vjetër me intervista ballëpërballë në terren apo me telefonata).
Sidoqoftë, në themel të çdo sondazhi (pavarësisht teknikës së zhvillimit të tij) mbetet Ligji i Numrave të Mëdhej të Teorisë së Probabilitetit – sa më shumë të anketuar, aq më afër u shkohet përqindjeve reale. Dhe përvoja 90-vjeçare e kompanisë Gallup ka treguar se me një kampion përfaqësues prej 1100 të anketuarish në Amerikën qindra-milionëshe, mund t’i afrohesh rezultatit real më saktësi +/-3%. Në Shqipërinë vetëm 2.35 milionëshe, me një kampion të tillë anketimi, saktësia mund të jetë më e madhe (në varësi të mënyrës së anketimit dhe të kalibrimit statistikor të kampionit).
Por jo çdo banor i Shqipërisë, nga 2.35 milionë të tillë, mund të anketohet. Kur anketohen rastësisht 1100 ndër 2.35 milionë, i bie që probabiliteti i anketimit të një banori çfarëdo të jetë vetëm 0.0005. Në SHBA, probabiliteti i anketimit të një banori çfarëdo në një sondazh kombëtar është vetëm 0.000003. Sidoqoftë, fare pak sondazhe në 90 vjetët e fundit, kanë dalë përtej mazhit të gabimit +/-3%…*




















