Nga Namir Lapardhaja
Në konferencën e një dite më parë, kryeministri Edi Rama, veç të tjerash, pranoi se ka pasur një diskutim me përfaqësitë ndërkombëtare në Tiranë në lidhje me çështjen Balluku, ndërkohë që u kujdes të shtonte se në detyrën që ai mban përfaqëson Shqipërinë dhe marrëdhëniet me partnerët duhet të jenë në të njëjtën lartësi. “Një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi është që t’i shoh partnerët në sy dhe të më shohin në sy, në të njëjtën lartësi. As unë nuk më shkon mendja të shoh njeri nga lart poshtë dhe as të lejojë njeri të më shoh nga lart poshtë.” – tha shprehimisht Rama.
Në fakt, e parë nga mënyra formale, sikur të mos kishe jetuar në këtë vend dhe sikur të mos kishe asnjë informacion për atë se çfarë ndodh përditë në Shqipëri, kjo deklaratë do të ishte shumë normale.
Mirëpo, kur e sheh brenda një konteksti të zhvillimit të politikës së ditës, kur e ndjek politikën në dinamikën e saj të përditshme dhe kur di se çfarë ka deklaruar po ky kryeministër vetëm pak kohë më parë, fjala vjen, kur shprehej në raport me atë se do të votonte çdo gjë që do të kërkonin ndërkombëtarët apo në atë se nuk do të bënte asgjë në lidhje me sistemin e drejtësisë që nuk ishte në përputhje me sugjerimet e tyre, atëherë e kupton se nuk jemi në një situatë normale dhe të zakontë.
Se pse nuk jemi përpara një situate të tillë, tashmë, është mëse e qartë.
Mirëpo, kjo inkoherencë e politikanëve në Shqipëri, ku palët lojaliste ndaj ndërkombëtarëve shndërrohen në mbrëmje sovraniste dhe kur në mëngjes sovranistët shndërrohen në të bindur të tyre, është një hipokrizi që duhet të marrë fund në këtë vend.
Problemi në këtë rast nuk është sovranizmi, por përdorimi i tij si gjethe fiku sa herë që politika e ditës në këtë vend përballet me drejtësinë apo me kritika nga përfaqësitë e Bashkimit Evropian në Shqipëri.
E nëse do t’i kthehemi sërish deklaratës së Ramës në konferencën e tij me gazetarët, ai u kujdes të siguronte se vota në Kuvend e PS nuk do të ishte faktor pengues dhe bllokues për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Uroj të jetë kështu, por e thënë nga Rama nuk është e besueshme një gjë e tillë, sepse kjo ngelet për t’u parë se si do të reagojnë në të ardhmen institucionet e BE-së për këtë çështje.
Por ajo që është e sigurt është se në asnjë rrethanë nuk ia vlen barra qiranë për të sakrifikuar integrimin evropian për emra konkret politikanësh, kushdo qofshin ata, ndërkohë që sovranizmi me kohë të pjeshshme është një përpjekje që politikanë të tjerë të këtij vendi e kanë provuar më parë dhe janë shndërruar në qesharak. /Tema




















