Kombëtarja shqiptare e futbollit të enjten luan një takim me historinë, pasi sfidon në Varshavë, Polonisë, në një ndeshje të vlefshme për play-off-in e Botërorit për herë të parë në historinë e saj.

Një takim për të cilin kanë bërë parashikimin edhe ekspertët e statistikave të OPTA, të cilët kanë bërë 10 mijë simulime të ndeshjeve mes dy skuadrave duke marrë për bazë të dhënat statistikore. Sipas saj, shanset e Shqipërisë për kualifikimin brenda 90 minutave janë padyshim më të vogla, duke marrë për bazë formën e Polonisë dhe eksperiencën e saj në këtë turne, në të cilin luftuan deri në fund të kualifikuesve më Holandën për një biletë direkte.

“Polonia mori 17 pikë në kualifikuese duke u renditur e dyta pas Holandës në Grupin G. Vetëm Italia fitoi më shumë pikë (18) se ata, duke mos qenë fituese e grupit në kualifikueset e kontinentit europian. Nga ana tjetër, Shqipëria mori 14 pikë. Midis gjashtë vendeve të dyta në grupe që përbëheshin nga pesë ekipe, totali i tyre i pikëve ishte më i ulëti. Por ata gjithsesi ia dolën të linin pas rivalët e përbetuar, Serbinë, në luftën për vendin e dytë.

Shanset janë kundër Shqipërisë. Nëse fitojnë në Varshavë, ata do të kenë ende një udhëtim tjetër përpara tyre në finalen e Rrugës B. Një kualifikim për herë të parë në Kupën e Botës mund të jetë vetëm dy ndeshje larg, por prapë duket sikur Shqipëria ka shumë për të bërë. Kjo është edhe ndjesia mbizotëruese pasi superkompjuteri i OPTA mbështet fuqishëm Poloninë, e cila fitoi 56,6% të 10000 simulimeve të ndeshjes brenda 90 minutave të enjten, krahasuar me 20,9% të Shqipërisë”.