Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka mbajtur ditën e sotme një konferencë për shtyp ku ka bërë një panoramë të rritje ekonomike të vendit.
Rritja e të ardhurave, përmirësimi i shërbimeve digjitale dhe zhvillimi i sistemeve përmes Inteligjencës Artificiale, janë objektiva strategjikë drejt arritjes së standardeve europiane.
Gjatë fjalës së tij, ministri Malaj tha se ekonomia shqiptare po përparon me një sistem fiskal më efikas, që mbështet rritjen ekonomike dhe lufton informalitetin. Të ardhurat kanë arritur nivele historike dhe për vitin 2026 pritet të rriten me mbi 1 miliard euro, pa rritur barrën për qytetarët.
Malaj: Ekonomia shqiptare është në një fazë të re të zhvillimit të saj, ku financat publike nuk janë më thjesht një insturment administrimi, por një motor real i zhvillimit ekonomik të vendit. Sot kemi një sistem fiskal që mbështet rritjen ekonomike, lufton informalitetin dhe jemi duke punuar për të përfruar kuadrin tonë me kërkesat e BE. Të ardhurat kanë arritur nivele historike si rezultat i reformave, i mirëadministrimit por kemi edhe një rritje të ndërgjegjësimit fiskal nga të gjithë qytetarët shqiptarë, operatorët apo tatimpaguesit. Për vitin 2026 planifikojmë mbi 1 mld euro të ardhura shtesë, që përkthehen në më shumë investime. Kjo rritje është një rritje që nuk vjen si rezultat i rritjes së taksave dhe rritjes së barrës për qytetarët shqiptarë, por vjen si rezultat i mirëadministrimit. Kemi një ecuri shumë të mirë për sa i përkeet Planit të Rritjes. Janë objektiva që i kemi dakordësuar me BE dhe një pjesë të mirë të tyre i kemi përmbushur përpara afateve. Kemi një rritje të efikasitetit të kontrolleve të ushtruara qoftë nga administrata tatimore ashtu edhe nga administrata doganore.




















