Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në hyrje të qytetit të Sarandës. Mësohet se është qëlluar 4-5 herë në ajër si dhe një shtetas është kanosur me armë në kokë.
Sipas informacioneve paraprake, autori që ka qëlluar me armë në ajër është larguar me një automjet tip Audi Q7 drejt Borshit, ku burime ende të pakonfirmuara zyrtarisht bëjnë me dije se ai është arritur të kapet.
Autori i dyshuar është shtetasi Kristi Ceka 31-vjeç, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Borshi për të kanosur ish-bashkëjetuesen e tij, me të cilën ishte ndarë pas një lidhje rreth 1 vjeçare. Pasi ka dhunuar atë, është përballur me kunatin e saj, të cilit i ka vendosur armën tip pistoletë në kokë duke e kanosur. Ai gjithashtu ka qëlluar rreth 4-5 herë me armë në ajër dhe më pas është larguar drejt Borshit me automjetin e tij tip “Audi” Q7 me targa AB020RR.
Pas ndjekjes policore është arritur të kapet në Borsh dhe pritet mbërritja e tij në Komisariatin e Sarandës.
“Sot, rreth orës 17:30, shtetasi K. C., 31 vjeç, banues në Borsh, ka shkuar në fshatin Shelegar, në banesën e ish-bashkëjetueses së tij, ku dyshohet se e ka dhunuar fizikisht.
Gjithashtu, ky shtetas dyshohet se e ka kanosur me armë zjarri atë dhe familjarët e saj, duke qëlluar disa herë në ajër.
Falë reagimit të shpejtë dhe punës së mirëorganizuar të shërbimeve të Policisë u bë e mundur kapja e autorit të kësaj ngjarje. Grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.




















