Ish-sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se i qëndron plotësisht vendimit të tij të vitit 2021, për shpalljen e Sali Berishës si person ‘non grata’ në SHBA.

Gjatë një bashkëbisedimi në “Harvard Institute of Politics”, Blinken theksoi se nuk ka asnjë dyshim apo hezitim për sanksionet ndaj Berishës.

Po ashtu Blinken thekson se ky qëndrim nuk lidhet me rrethana politike të kohës, por është një vlerësim që ish-sekretari amerikan i Shtetit i qëndron edhe sot.

Kujtojmë se Berisha dhe familja e tij u shpallën ‘non grata’ nga SHBA në maj të vitit 2021. Edhe pse kanë kaluar 5 vite që nga ai vendim dhe pavarësisht lobimeve të vijueshme të Berishës për heqjen e ‘non gratës’, diçka e tillë ende nuk është arritur.

“Ju thatë që mund të zgjedh pyetjen që dua t’i përgjigjem. Shikoni, para së gjithash më vjen shumë, shumë keq për atë që keni kaluar personalisht. Askush nuk duhet të kalojë nëpër atë që përshkruat. Por, unë qëndroj plotësisht pas sanksioneve të vendosura ndaj z. Berisha. Nuk kam asnjë hezitim apo dyshim për këtë vendim, aspak. Kjo nuk flet për mangësitë e administratës, por flet për mangësitë e Berishës dhe unë do të vazhdoj të qëndroj pas kësaj. Është thjesht një ndryshim gjykimi”, tha mes të tjerash Blinken gjatë fjalës së tij.