Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka marrë pjesë në shfaqjen e filmit “The EUkrainian”, të organizuar në “Shtëpinë e Europës” nga Ambasada e Suedisë në Tiranë.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha e cilëson filmin si një histori të fuqishme mbi vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës, si dhe një rrëfim njerëzor mbi përpjekjet për afrimin e saj me Bashkimin Evropian.
Sipas tij, aktiviteti shërbeu si një kujtesë për rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme ndaj Ukrainës.
“Mbështetja për Ukrainën mbetet e palëkundur”, thekson ministri, duke nënvizuar se Shqipëria vijon të jetë e angazhuar në këtë drejtim.
Hoxha shton gjithashtu se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është thjesht një politikë, por një domosdoshmëri strategjike për paqen, sigurinë dhe një Evropë më të fortë.
Postimi i plotë i Ministrit Ferit Hoxha në rrjetin social X
“Kënaqësi të merrja pjesë në shfaqjen e filmit “The EUkrainian”, të organizuar në “Shtëpinë e Europës” nga Ambasada e Suedisë në Tiranë. Një histori e fuqishme mbi vendosmërinë, guximin dhe qëndrueshmërinë, por edhe një rrëfim thellësisht njerëzor mbi përpjekjet e vazhdueshme për ta afruar Ukrainën me Bashkimin Evropian, me synimin e anëtarësimit. Ky aktivitet shërbeu si një tjetër kujtesë për rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme dhe të palëkundur për Ukrainën, një angazhim që Shqipëria e mban plotësisht, si dhe për faktin se zgjerimi i BE-së nuk është thjesht një politikë, por një domosdoshmëri strategjike për paqen, sigurinë dhe një Evropë më të fortë’.




















