Kryeministri Edi Rama në një takim këtë të enjte me studentët mbi integrimin në BE është përgjigjur përballë pyetjes së një studenteje e cila ka thënë “nëse është ngadalësuar procesi i BE-së”. Përpara Kryeministrit ka folur Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, i cili ka thënë se nuk është ngadalësuar procesi dhe po vijon shumë mirë sipas tij.
“Zakonisht, tango bëhet me 2. Kjo tangoja jonë kërkon 3. Ne jemi ne që të bëjmë detyrat e shtëpisë, të jemi të besueshëm dhe i dyti është Komisioni Europian. Me ata punojmë nga mëngjesi deri në darkë. Është Komisioni i cili është i mandatuar nga 27 vendet anëtare që të bindet që të bëjë avokatin tonë te vendet anëtare. Shqipëria duhet të bindë vendet anëtare që marrim përgjegjësinë për të vepruar. Absolutisht asnjë gjë nuk është ngadalësuar. Jemi në ritmin që kemi përcaktuar bashkarisht me Komisionin Europian. Është avokati më i mirë që kemi pasur. Jemi në momentin kur duhet të japim provimin më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë”, tha Hoxha.
Më tej ka marrë fjalën edhe Kryeministri Rama, i cili ka dhënë një shembull lidhur me fenomenin e procesit të ngadalësimit të integrimit në BE.
“Unë besoj se ka krijuar këtë perceptim nga pasqyrat mediatike të cilat për fat të keq përgjithësisht janë shumë të dyshimta në ato që thonë dhe shkruajnë dhe flasin, sepse është bërë kaq e shpejt bota dhe është bërë kaq ritmike koha e informacionit dhe frenetike përpjekja e të gjithëve për të marrë vëmendje saqë nuk ka më as kohë as interes për t’i verifikuar gjërat që shkruhen dhe hidhen për të marrë vëmendje. Këto janë gjëra që penalizojnë shumë cilësinë e informacionit, duke vazhduar me çfarë them dhe t’i kthehem asaj që thashë, ne jemi në një moment në histori ku për herë të parë fati po i buzëqesh shqiptarëve dhe Shqipërisë dhe pa dashur të përsëris çfarë thashë më parë.
Po sjell një shembull për ngadalësimin. Që të kuptojmë pse s’kemi ngadalësim. Raporti i një vendi jo anëtar të BE është një raport që kalon përmes dy kateve. Kati i parë është i Komisionit Europian, i cili është rezultat i zgjedhjeve parlamentare europiane. Një pjesë e atyre merren vetëm me ne, me vendet që duan të hyjnë. Kanë një përfaqësi edhe këtu që merret çdo ditë me çfarë bëjmë ne me drejtësinë, me ekonominë dhe bujqësinë etj. Edhe shkruajnë. Dhe ne ndërkohë duke qenë se jemi vend kandidat, na japin detyra. Komisioni është një mësues ose një trup shumë objektiv, njësoj sikur ju jepni provimin e një lënde. Komisioni nuk merret me politikë, nuk i intereson Komisionit kush qeveris. Edhe pastaj çdo vit i bën një raport Këshillit që është “kati i dytë” ku janë gjithë drejtuesit e vendeve të BE-së dhe ata mblidhen dhe marrin vendim. Komisioni thotë t’i hapim negociatat, aty janë 27 vende. Mjafton të thotë njëri “Jo”, nuk hapen. Kështu vijon edhe sot. Këtu është debati i vetos që si mund të vijë dikush dhe të mbajë peng me veto. Jemi refuzuar 3 herë. Na ka propozuar Komisioni për negociatat. Një vend anëtar nuk na donte. Çfarë kishte me Shqipërinë? S’kishte asgjë, kishte një problem të krijuar me shqiptarët. Pse? Luftë politike në atë vend dhe zgjedhjet ishin përpara, edhe gjithmonë gjëja më e thjeshtë është që forcat politike të kërkojnë një armik. Sepse armiku motivon votuesit. Armiku në shumë vende të Europës u bë emigranti, por kur gjen një armik konkret shqiptarët, kjo ndihmon sepse shumica e njerëzve nuk i hyjnë fakteve dhe ai vend thoshte “jo”.”-tha Rama.




















