Këtë të enjte për Euronews Albania ka folur Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato në një intervistë me moderatoren Mirela Milori. Gonazto ka folur për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe ka thënë se nuk ka bllokim të procesit. Nga ana tjetër Gonzato ka thënë se këto janë bisedime konfidenciale në bazë të procedurave të procesit. Gonazato tha se ka spekulime të shumta sipas tij me bisedimet me COELA-n, Grupin e Punës së Këshillit për Zgjerimin.
Pjesë nga intervista:
Gazetarja: E kuptoj, megjithatë, në media është dhënë një lajm që janë nëntë vende anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët e kanë bllokuar ecurinë e procesit që quhet IBAR, pra të një procesi ku shikohet ecuria e deritanishme e Shqipërisë. Madje në media thuhen edhe emrat e këtyre vendeve që janë Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Suedia, Austria, Finlanda, Polonia, Greqia dhe Bullgaria, vende që sipas medies nuk janë ende të bindura se është momenti për t’i dhënë dritën jeshile Shqipërisë. Si është raporti i këtyre vendeve, sa ndikojnë këto vende dhe a është e vërtetë që të nënta këto vende janë skeptike për ecurinë e mëtejshme të procesit?
Ambasadori: Para së gjithash, ky është një proces ku duhet të arrijmë konsensus. Radha e takimeve synon krijimin e konsensusit midis Shteteve Anëtare. Dhe Komisioni është aty për t’iu përgjigjur pyetjeve, për t’iu përgjigjur pikave kritike që Shtetet Anëtare mund të ngrenë dhe për të ofruar informacionin që ata duan, në mënyrë që të konfirmohet apo ndoshta të korrigjohet perceptimi i gjërave nga ana e tyre. Ka shumë spekulime rreth asaj që po ndodh tani në të ashtuquajturin COELA, Grupi i Punës së Këshillit për Zgjerimin. Dhe sinqerisht nuk dua t’i hyj kësaj. Këto janë negociata konfidenciale dhe ne duhet të lejojmë që kjo hapësirë të respektohet. Ajo që është e sigurt është se takimet po vazhdojnë. Është planifikuar edhe një tjetër, kështu që do të thotë se negociatat po vazhdojnë. Pra, nuk mendoj se mund të flasim për bllokime. Sigurisht që po zhvillohet një diskutim. Shtetet Anëtare shqyrtuan vlerësimin teknik nga Komisioni, por ato gjithashtu duan të shohin kontekstin e përgjithshëm politik në të cilin janë zhvilluar këto reforma. Pra, nuk është çështja që disa Shtete Anëtare të bllokojnë të tjerët, ose të kenë një mendim të ndryshëm. Është thjesht çështja që ata të diskutojnë për situatën, ta vlerësojnë situatën, t’i bëjnë pyetje Komisionit dhe më pas të vendosin se çfarë do të përfshihet në qëndrimin e përbashkët. Dhe qëndrimi i përbashkët ka të bëjë me standardet përmbyllëse. Prandaj diskutim nuk do të thotë që Komisioni vjen me një raport dhe ata vendosin po apo jo. Jo, duhet kohë sepse ata duhet të vendosin se çfarë lloj kërkesash duam të vendosim në fund të procesit, për t’u siguruar që këto reforma janë të ankoruara në sistemin shqiptar dhe janë të qëndrueshme, ato nuk mund të kthehen mbrapsht.
Gazetarja: Dhe ju thoni aty nuk mund të ketë bllokim, por a mund të ketë ndarje të procesit, p.sh., me Malin e Zi, mund të ketë një ndarje të procesit për Shqipërinë, që të jetë në një kategori tjetër në ecurinë e procesit të integrimit?
Ambasadori: Të them të drejtën, nuk kam dëgjuar të ketë pasur një lidhje midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Të dy vendet janë përshkruar si pararendës, sepse Shqipëria ka bërë shumë përparim vitin e kaluar në hapjen e kapitujve dhe në arritjen e Malit të Zi. Pra, në fakt, nëse e shikoni situatën tani, vendet e ndryshme kandidate janë me të vërtetë pararendëse. Por nuk mendoj se ka pasur ndonjëherë diskutime për t’i lidhur së bashku. Dhe e dini, ne vazhdojmë të përsërisim se procesi bazohet te meritat. Pra, çdo vend vlerësohet bazuar në performancën e vet.




















