Kryetari i PD-së Sali Berisha ka kërkuar që qeveria të rikthejë naftën pa taksa për fermerët.
“Ky parlament nuk mund të ketë, në qoftë se mban parasysh interesin e qytetarëve shqiptarë, në axhendë tjetër veçse vjedhjet e binomit Rama-Balluku. Çështja e dytë që ky parlament duhet të debatojë dhe t’i japë zgjidhje është çështja e naftës. Kreu i juaj u deklaroi socialistëve në Lushnjë se Europa nuk subvencionon më naftën. Një mashtrim të turpshëm, të paskrupullt dhe ju që qeshni, ju bëni skllavin këtu.
Sepse sfidoj çdo njeri dhe çdo shqiptar, të gjejë një vend të vetëm anëtar të BE që të mos subvencionojë naftën për fermerët. Përkundrazi, Gjermania e rriti këtë vit subvencionin dhe mundet edhe vendet e tjera. Të shkosh dhe të deklarosh vetëm pse janë socialistë dhe mund t’u thuash çdo gjë, se Europa nuk subvencionon më naftën, bën një akt cinik, një mashtrim ndaj rreth 40 përqind të shqiptarëve, që ç’është e vërteta është pjesa që djersin më shumë, që sakrifikon më shumë qoftë për kafshatën, qoftë për prosperitetin e vet dhe të vendit.
Ndaj dhe ju që jeni këtu, ose gjeni një vend në BE që nuk jep subvencione nafte, ose damkoseni drejtuesin tuaj si një mashtrues ordiner, që në çdo fjalë nxjerr një mashtrim dhe vendosim këtu të rikthejmë me ligj subvencionin e naftës duke hequr ndaj saj çdo taksë jo vetëm për fermerët, por edhe për transportin publik. Ju e morët vesh se u pakësuan me 40 përqind linjat e autobusëve, ndaj dhe të bëjmë këtu një ndërhyrje urgjente që të subvencionojmë fermerët. Vijnë miliarderët e naftës dhe e marrin me 600 lekë naftën, dhe ata kanë rëndësi në ekonomi se hapin shishe shampanje me Ramën. Po ky është turp mo, a përfaqësoni ju apo ata fermerë apo jo? Duhet ta hedhësh në votim këtë çështje”, tha Berisha.
Berishës iu përgjigj ministri i Bujqësisë Andis Salla, i cili tha qeveria ka hartuar një skemë të re për mbështetjen e fermerëve me 52 mln euro nga buxheti i shtetit. Salla tha se qeveria ka akorduar mbi 100 mln për fermerët që do të jenë këtë vit për subvencionet dhe pagesa direket për të ndihmuar fermerët dhe për të çuar sektorin në një hap tjetër.
“Fermerët shqiptarë është një skemë e cila e kem përafruar me BE. Është një skemë që është nga buxheti i shteti 52 mln euro në rritje nga viti i kaluar. përveç kësaj kemi në minimumi 15 mln euro të vendosur për 10% të kompensimit të çdo fature për të që punon tokën do të marrë kompensimin për çdo produkt bujqësor. Kjo shkon midis 45-50 mln euro sipas llogarive tona. Qeveria shqiptare ka akorduar mbi 100 mln për fermerët që do të jenë këtë vit për subvencionet dhe pagesa direket për të ndihmuar fermerët dhe për të çuar sektorin në një hap tjetër. Me skenë e re, nga 1 metër tokë deri në 300-400 hektarë që kemi shifrën më të madhe, merr subvencion nga qeveria. Me sektorin bujqësor të jemi paralel de po ecim me një shifër të mirë”, tha Salla.




















