Deputeti i PD, Belind Këlliçi, duket se nuk e ka përmbajtur veten gjatë një interviste për A2 CNN, kur ka komentuar protestat e opozitës dhe reagimet e ndërkombëtarëve. Ai përdori fjalë të rënda kur tha se duhet t’i ishtë vënë flaka kryeministrisë, çka lë të kuptohet se në protestat e ardhshme mund të pritet përshkallëzim.

Belind Këlliçi: “Këtu duhet t’i ishte vënë zjarri kryeministrisë me çfarë ka ndodhur deri tani me paratë e qytetarëve dhe me kriminalizimin e ekonomisë. Zjarri me kohë, sepse do të ishte e vetmja zgjidhje për qytetarët dhe për klasën politike, majtas e djathtas, në mënyrë që politikanët të tremben para sovranit, para qytetarëve. Nuk mund të tallesh me qytetarët. E mbani mend me çfarë premtimesh ka ardhur Edi Rama në qeveri në 2013? Legalizime falas, ujë 24 orë, shëndetësi. Mjaftojnë këto të treja për të kuptuar se pas 13 vitesh në pushtet, dhe duke i përsëritur sërish këto premtime, qytetarët shqiptarë duhet ta kishin ndëshkuar tashmë këtë qeverisje”.

Protesta e radhës e thirrur nga PD është në 17 prill. Në të gjitha protestat e mëparshme është hedhur molotov ndaj Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera publike.