Udhëheqësit nga e gjithë bota kanë dënuar incidentin e së shtunës në Washington Hilton, ku gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë u dëgjuan të shtëna me armë. Presidenti amerikan Donald Trump, Zonja e Parë Melania dhe zyrtarë të lartë u evakuuan menjëherë, ndërsa një oficer i Shërbimit Sekret u plagos lehtë falë jelekut antiplumb.
Kryeministri kanadez Mark Carney reagoi në platformën X duke thënë se ishte i lehtësuar që Presidenti dhe të ftuarit janë të sigurt, duke shtuar se “dhuna politike nuk ka vend në asnjë demokraci”.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, u shpreh se ishte mirë që Trump dhe bashkëshortja e tij janë të padëmtuar, duke theksuar: “Dhuna nuk duhet të jetë kurrë rruga”.
Nga Australia, kryeministri Anthony Albanese përgëzoi Shërbimin Sekret për reagimin e shpejtë.
“Ne duartrokasim punën e Shërbimit Sekret dhe agjencive të zbatimit të ligjit për veprimin e tyre të shpejtë,” tha ai
Ndërsa ambasadori britanik në SHBA, Christian Turner, i pranishëm në sallë, falënderoi agjentët për profesionalizmin dhe uroi shërim të shpejtë për oficerin e plagosur.
I dyshuari, Cole Tomas Allen, 31 vjeç nga Kalifornia, ndodhet në paraburgim dhe po vlerësohet në një spital lokal. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar motivet e sulmit, ndërsa liderët botërorë kanë dërguar mesazhe solidariteti dhe kanë theksuar se demokracia nuk mund të cenohet nga aktet e dhunës.









