Juventusi po lëviz me kohë dhe pa shumë zhurmë në merkato, duke konfirmuar që, pavarësisht kualifikimit në Champions League, skuadra do të përforcohet ndjeshëm.

Plani i bardhezinjve është i qartë dhe synon ndërtimin e një boshti të ri skuadre. Në listën e objektivave kryesorë përfshihen emra të mëdhenj ndërkombëtarë. Për portën është përmendur Alisson, me të cilin thuhet se ekziston tashmë një marrëveshje verbale me lojtarin.

Në mesfushë dhe në rolin e fantazistit, Juventusi ka në shënjestër Bernardo Silvën, një operacion i komplikuar dhe që kërkon kohë. Ndërsa si pjesë e projektit për organizimin e mesfushës, ka dalë edhe emri i Ardon Jasharit.

Megjithatë, prioritet absolut mbetet sulmuesi qëndror. Situata me Dusan Vlahovic është bërë më e ndërlikuar pas një dëmtimi të ri. Deri pak javë më parë flitej për një rinovim të afërt, por tani gjithçka është ngadalësuar dhe e ardhmja e tij mbetet e pasigurt.

Në këtë kontekst, Juventusi po shqyrton edhe alternativa me peshë të madhe. Emri më i bujshëm është ai i Robert Lewandowskit, i cili mund të largohet nga Barcelona si lojtar i lirë.

Sulmuesi polak nuk është i kënaqur me ofertën aktuale të klubit spanjoll, jo aq nga ana financiare, sa për rolin që i është ofruar në skuadër. Ai kërkon të mbetet në qendër të një projekti konkurrues dhe nuk e përjashton as një eksperiencë të re.

Për të interesohet edhe Milani, dhe për këtë arsye, agjenti i tij pritet të zhvillojë kontakte me të dy klubet në prag të një sfide të rëndësishme në San Siro.

Në këtë moment, Juventusi mbetet i përqëndruar te ndërtimi i projektit të ri: një skuadër më e fortë, më e ekuilibruar dhe me ambicie të rikthyera për të luftuar sërish në majat e futbollit italian dhe evropian.