Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja me një video të publikuar në rrjetet sociale, bën me dije se së shpejti kullat shqiptare në disa qarqe të veriut, do të shndërrohen në motor të ri zhvillimi ekonomik.
Gonxhja shpjegoi se ky transformim do të realizohet përmes bashkëpunimit mes Ministrisë, GIZ, AShK dhe Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në UPT. Sipas ministrit, projekti synon të adresojë çështjet e pronësisë dhe të zhvillojë plane restaurimi, duke hapur rrugën për investime, punësim dhe një valë të re të turizmit malor, historik dhe kulturor në rajon.
“Kullat shqiptare në disa qarqe të veriut së shpejti do të kthehen në një motor të ri zhvillimi ekonomik, përmes bashkëpunimit mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, GIZ, AShK dhe Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në UPT, duke adresuar çështjen e pronësisë dhe zhvilluar projekte restaurimi, që hapin rrugën për investime, punësim dhe një valë të re të turizmit malor, historik e kulturor”, shkruan Gonxhja.




















