Në Lezhë është mbledhur Asambleja e Partisë Socialiste, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Rama shprehu bindjen se anëtarësimi i vendit në BE do të realizohet brenda vitit 2030.

Sipas kryeministrit, qeveria shqiptare ka një marrëveshje për një kalendar pune me Komisionin Europian, për mbylljen e procesit të negociatave brenda vitit 2027.

“Kjo duhet të jetë një fushatë për të folur me të gjithë socialistët dhe me të gjithë mbështetësit tanë kudo ku ndodhen. Kur unë thoja që do integrohemi në BE brenda vitit 2030, të gjithë thoshin ‘është gënjeshtër’. Në fakt ishte një marrëveshje me Komisionin Europian për të ekzekutuar një kalendar pune dhe për të kryer detyrat e shtëpisë ne si Shqipëri me një ambicie të madhe dhe plan ambicioz që përfundon në vitin 2027. Pastaj pas përfundimit në 2027 të negociatave me Komisionin, mbetet koha rreth 2 vite për të marrë miratimet në Parlamentet e vendeve anëtare.

Dhe kështu shkon me një llogari në 2030. Ne i kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave në kohë rekord. Kjo jo vetëm falë punës sonë, por edhe vullnetit të tyre. Në kat të dytë janë 27 vende anëtare, sepse aty duhet të thonë të gjithë po. Nëse vetëm një vend thotë ‘jo’, atëherë integrimi në BE është i pamundur. Ne kemi bërë pjesën tonë dhe janë bashkuar edhe yjet e fatit tonë. Nuk duhet të presim që dera e hapur e BE-së do rrijë hapur dhe do na presë ne. Dera është e hapur dhe ne duhet të hyjmë brenda”, tha mes të tjerash Rama.