Zëvendëspresidenti JD Vance thotë se SHBA-të dhe Irani nuk kanë arritur një marrëveshje pas bisedimeve për paqe në Islamabad, Pakistan.

Pas bisedimeve që zgjatën nga pasditja e hershme deri në orët e para të mëngjesit, JD Vance tha se delegacioni amerikan do të kthehet në shtëpi pa një marrëveshje.

“Ne largohemi nga këtu me një propozim shumë të thjeshtë, një mënyrë mirëkuptimi që ky është oferta jonë përfundimtare dhe më e mirë. Do të shohim nëse iranianët e pranojnë atë”, tha Vance pas 21 orëve bisedime.

Vance tha se gjatë diskutimeve kishin folur disa herë me presidentin Donald Trump.

Ai tha se ekipi i tij nuk arriti ta bënte Iranin të konfirmonte se nuk do të kërkojë një armë bërthamore, as mjetet që do t’i mundësonin ta arrinte shpejt një të tillë. Ai e përshkroi këtë si një qëllim thelbësor të Presidentit Trump dhe shprehu zhgënjim.

Në deklaratat e tij, Vance nuk përmendi Ngushticën e Hormuzit – rrugën kyçe të naftës që SHBA-të kërkojnë që të hapet nga Irani dhe që raportohet se ka qenë një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes në bisedime.

Sipas palës iraniane, bisedimet u zhvilluan në “një atmosferë të mbushur me mosbesim, dyshim dhe pasiguri”, pas më shumë se 40 ditësh “lufte të imponuar” dhe jo shumë kohë pas hyrjes në fuqi të një armëpushimi. ““Nuk duhej të kishim pritur që në fillim se mund të arrinim një marrëveshje”, u shpreh Teherani.

Në një postim në X, kryeparlamentari iranian Mohammad Ghalibaf shprehet se delegacioni iranian “paraqiti iniciativa me vizion për të ardhmen, por pala kundërshtare në fund nuk arriti të fitojë besimin e delegacionit iranian në këtë raund negociatash”.

Ministri i Jashtëm i Pakistanit ka thënë se është e domosdoshme që të dy palët të vazhdojnë të respektojnë armëpushimin e rënë dakord para se të vinin në Islamabad, megjithëse të dyja palët tashmë janë akuzuar reciprokisht për shkeljen e tij.

Ndërkohë Izraeli ka vijuar me sulmet ndaj Libanit, duke anashkaluar Bejrutin. Goditjet po ndodhin në jug të vendit, ku raportohet se vala e sulmeve po shënjestron qëllimisht personelin e kujdesit shëndetësor.