Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti në një takim studentin Mevlan Ademi nga Maqedonia e Veriut, i angazhuar në manifestimet paqësore për të drejtat gjuhësore në vend.

Gjatë bisedës, ministri Hoxha dëgjoi nga afër shqetësimet dhe kërkesat e studentëve lidhur me respektimin e plotë të të drejtave për përdorimin e gjuhës amtare, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të qartë dhe konsekuent të Marrëveshjes së Ohrit si bazë për barazinë dhe funksionimin e një shoqërie multietnike.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha nënvizoi se dëgjimi i zërit të rinisë dhe përfshirja e tyre në proceset vendimmarrëse janë elementë kyç të demokracisë. Ai shtoi se angazhimi qytetar duhet të përkthehet në politika konkrete që garantojnë barazi dhe standarde evropiane.

Ministri theksoi gjithashtu se mbështetja për këto vlera është thelbësore për forcimin e institucioneve demokratike dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.