Nga Kreshnik Spahiu
Diaspora shqiptare është e vetmja në planet që nuk i jepet pasaporta sipas kombësisë së vet.
A e dini që një gjerman, italian, grek, serb, kroat, turk, anglez, kudo që jeton, nëse ka prindërit gjermanë, italianë, grekë, serbë, kroatë, turq, anglezë, gëzon të drejtën e shtetësisë me ligj sipas parimit ndërkombëtar “jus sanguinis” (e drejta e gjakut) → e merr nga prindërit.
A e dini që shumë shtete fjalën kombësi dhe shtetësi e kanë të njësuar:
Frëngjisht: nationalité
Italisht: nazionalità
Spanjisht: nacionalidad
Anglisht: nationality
Prej shekujsh e drejta e shtetësisë lind prej kombësisë, sepse kishim shtete-kombe.
Sot Njeriu mund të ketë disa pasaporta, por një kombësi dhe shtetësia bazë duhet jetë sipas kombësisë.
Diaspora shqiptare është më e çuditshmja në planet. Ata kanë disa pasaporta, por jo shqiptaren.
Po si mund të quhesh diasporë shqiptare kur Shqipëria të refuzon emrin shqiptar?
A e dini që Bullgaria në Shqipëri ka dhënë mijëra pasaporta bullgare dibranëve në Gillobord sepse i quajnë që “stërgjyshët” e tyre para 1000 vjetësh ishin bullgar?
Pse diaspora shqiptare nuk i kërkon Shqipërisë shtetësinë dhe pasaportën për shkak të lidhjes së gjakut dhe etnisë?
Në vitin 2011 i kërkova personalisht Ramës dhe Berishës të votonin në parlament projektligjin: “Pasaportë për çdo shqiptar”.
Të dy kanë qenë dhe janë kundër dhënies së pasaportës shqiptare për shqiptarët në diasporë. Madje Berisha, në vitin 2012, nxori një VKM për dhënien e shtetësive dhe nuk e zbatoi kurrë.
Rama dhe Berisha kanë pasur arsye elektorale, sepse nëse ata marrin pasaporta, u lind e drejta e votës, por ata mund të rreshtoheshin duke u dalë jashtë kontrollit 20 milion votues.
Ndërkohë që Rama dhe Berisha nga një anë kanë hallin e partisë, nga ana tjetër po dëmtohen interesat e Shqipërisë.
Një Shqipëri e vogël me 3 milion banorë nuk ka asnjë rëndësi gjeopolitike, diplomatike, ushtarake apo asnjë peshë ekonomike me një treg kaq të vogël.
Një Shqipëri e madhe me 20 milion shtetas shqiptarë do ndryshonte çdo balancë rajonale dhe do bëheshim kombi superior në Ballkan.
Pavarësisht të gjitha përfitimeve, Shqipëria duhet të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të çdo shqiptari që ka prindër shqiptarë dhe duhet t’i njihet e drejta e shtetësisë.
Pasaporta shqiptare nuk është produkt i preferencave qeveritare apo presidenciale të momentit.
Dje pasaporta iu dha kryetarit të Bashkisë së New York-ut në shenjë mirënjohjeje si mik i diasporës shqiptare në SHBA.
I shkreti Eric Adams, po ta dinte që atyre 100.000 shqiptarëve të bashkisë së New York-ut nuk u njihet e drejta e pasaportës, do i vinte turp ta merrte shtetësinë para tyre.
Diaspora shqiptare ende është fatkeqe që nuk ka një shtet amë serioz që mbron kombin e vet si Gjermania, Polonia, Austria, Greqia, Italia, Turqia, Kroacia apo çdo shtet tjetër në botë.
Ende ne kemi një diasporë që Shqipëria i mohon emrin shqiptar.




















