URAN BUTKA

Masakra e Tivarit e vitit 1945 është një nga masakrat më të përgjakshme dhe më të pabesa ndaj shqiptarëve. Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav për motive politike dhe ushtarake të ripushtimit e të spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës e viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi.

Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi kriminal antishqiptar dhe antinjerëzor, ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim qysh gjatë luftës. Në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë NÇ-Jugosllave iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë “ (Arkivi historik i Kosovës, F. OKKM k.10/29, 335 nr1). Ky gjenocid do të shpërfaqej hapur përmes mashtrimit, dhunës, vrasjeve masive dhe shpërnguljeve masive të shqiptarëve të Kosovës nga forcat e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të OZN-ës dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, duke shkelur të drejtat njerëzore, kombëtare dhe të konventave ndërkombëtare. Por, në kushtet e Luftës së Dytë dhe menjëherë pas saj, kur ishte artikuluar vetëvendosja e kombeve nga Karta e Atlantikut dhe Titoja kishte deklaruar se pas luftës shqiptarët e Kosovës do të zgjidhnin se nga do të shkonin, me Shqipërinë apo me Jugosllavinë dhe kur në Kuvendin e Mukjes dhe të Bujanit 1943 ishte shprehur vullneti kombëtar për Shqipërinë etnike apo bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, projekti serbomadh i ripushtimit dhe i spastrimit të plotë të Kosovës ishte tepër i vështirë për udhëheqjen politike dhe ushtarake të Jugosllavisë, së pari, sepse populli i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare ishte i gjithë më këmbë, i ndërgjegjësuar dhe i armatosur për të mbrojtur qenien shqiptare dhe kufijtë kombëtarë, realizuar gjatë viteve 1941-1944.

Në Kosovë ishin krijuar dhe vepronin organizata e të fuqishme politike dhe ushtarake kombëtariste si Balli Kombëtar, Lëvizja Irredentiste, Lidhja e Dytë e Prizrenit e më pas “Besa Kombëtare” dhe Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (ONDSH), që kishin me vete thuajse gjithë popullin shqiptar të këtyre trevave. Ripushtimin e nënshtrimin e Kosovës tashmë mund ta arrinin më lehtë e më tinëzisht, me mbështetjen e shtetit komunist vasal të Shqipërisë dhe ndihmesën e forcave të saj ushtarake të Shqipërisë, që ishin thirrur nga ana e Jugosllavisë. T’i nxirrnin gështenjat e nxehta me duart e të tjerëve. Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës në muajin maj e korrik 1944 kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën kundër qëndresës shqiptare. Një kërkesë tjetër u ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç. (Arkivi i FA të Shqipërisë, Fondi shtabi i Përgjithshëm). Pala shqiptare u tregua e gatshme. Më 12 shtator 1944 komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. (Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm NÇ, v.II ). Po në këtë datë, mentari i E. Hoxhës, Miladin Popoviç, i shkruante Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH për Korpusin I: “Lajmëro Pavlen (Pavle Joviçeviç, shënim UB) se dy brigadat shqiptare së shpejti do të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të mos dekonspirohet!”1

Dërgimi i dy brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në fshehtësi të plotë, edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I: “Të mos i tregohet inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë” (AQSH, F.41, shtabi i Përgjithshëm i UNÇ, v.1944 d.158). E.Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një puthador i bindur dhe i Jugosllavisë, urdhëronte brigadat e Divizionit I: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë”.(AQSH F.181 v.1944 d.6).

Në muajin nëntor 1944 u angazhuan në këtë luftë edhe Divizioni V, që përfshiu Brigadat III, V dhe XXV, edhe Divizioni VI ( brigadat VI, VII, VIII dhe XXII), pasi u kthyen nga Sanxhaku e Bosnja, ku luftuan kundër gjermanëve. Divizionet V dhe VI të Shqipërisë u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. Në urdhër-veprimin e Armatës V të Jugosllavisë përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë: “Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht… Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë… Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet”. (Arkivi i Luftës NÇ të Jugosllavisë, nr.14-4, k.1411). Më 8 shkurt 1945 u shpall me urdhër të komandantit suprem të UNÇ të Jugosllavisë, J.B.Tito, pushteti ushtarak në Kosovë.

Divizionet e UNÇ të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë për shtypjen e rezistencës kosovare ndaj ripushtimit jugosllav dhe spastrimit etnik. Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim tek brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, e dhanë komandat e këtyre divizioneve e brigadave të ushtrisë shqiptare. Siç është zbuluar tanimë nga dokumentet arkivorë, Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat (eshalonet) me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24-27 mars 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945. Bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është i dokumentuar. Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V të Shqipërisë me komandant Rahman Perllakun e komisar Ramiz Alinë dhe të divizionit VI me komandant Gjin Markun dërguar Komandës së Përgjithshme të UNÇSH gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim si edhe listat emërore të të arratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e diviz.V dhe VI të Shqipërisë tek ushtria jugosllave.

Ndodhen gjithë dokumentet në librin tim “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” Tiranë, 2018. Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës: “T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”. AQSH, F.206 v.1945). Prizreni ishte qyteti ku u grumbulluan me mijëra rekrutë shqiptarë nga gjithë trevat shqiptare nën Jugosllavi, u rrethuan ushtarakisht, u çarmatosën, u keqtrajtuan, qindra prej tyre që kundërshtuan u pushkatuan, të tjerët u trajtuan si robër lufte. Për shoqërimin e tyre ishin caktuar disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV, mandej nga Brigada X malazeze, tregonte sesa rëndësi i kishin kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhet të përfundonte në një kasaphanë për shqiptarët. Të dhënat burimore ushtarake jugosllave tregojnë se u mobilizuan rreth 18.000 rekrutë shqiptarë në Prizren dhe u dërguan për në Tivar 13.323. Qeveria shqiptare, së pari, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër territorin e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte interesi. Prof. Zekeria ana shkruan: “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur “Golgota e madhe Shqiptare”, – konstatonte Zekeria Cana.( Zekeria Cana, Bujku, 20.10. 1996).

Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-ë. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq në tokën shqiptare më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm” (Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, viti 1949, D.191). Këtë masakër brenda kufijve të Shqipërisë e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu” (B. Spahiu, Pretenca në Gjykatën e Lartë, 1949). Natyrisht, ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare, jo vetëm në atë kohë kur u krye kjo masakër, por edhe për gjysmë shekulli, kur u hesht plotësisht për shkak të bashkëfajësisë. Këtë na e dëshmon edhe deklarata e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit të krahinës III (Shkodër), i cili pranon se rekrutët e mobilizuar kosovarë, jugosllavët “i vrisnin në masë rrugës, në Shqipëri, pa pasur faj”, se rekrutët shqiptarë që iknin nga kolonat për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin, nga organet shtetit shqiptar, komandove jugosllave, prej të cilëve ata gjenin vdekjen. (Arkivi i MB, D.1623).

Kolona e parë u nis nga Prizreni më 24 mars 1945 me 2.600 shqiptarë të mobilizuar, shoqëruar nga 300 udhëheqës të brigadave dalmatine dhe një batalion i brigadës 27 të Serbisë. Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945: “Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rrëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetash. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën (Arkivi i Luftës NÇJ, k.1411). Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës, u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë (Brigadat e Mbrojtjes, që komandoheshin nga Koci Xoxe), në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Në rast i paprecedent në botë. Në Shkodër eshaloni iu dorëzua Brigadës X malazeze me komandant Gosha Markoviç. Në Tivar, 200- 300 m nga ndërtesa e Monopolit të Duhanit, ku u hodhën bomba dhe u mitroluan nga brigade malazeze dhe gjetën vdekjen 420 rekrutë shqiptarë të eshalonit të parë.

Pjesa tjetër e eshalonit u nis me anije për në Trogil. Atje nisi inbarkimi në kanalin e Çiovës, por trageti ku kishin hipur 150-200 shqiptarë u ça më dysh dhe u mbush kanali me plisa të bardhë mbi ujë. Plisat e bardhë mbi ujë, një metaforë e vdekjes dhe mbijetesës së shqiptarëve. Humbën jetën 65 prej tyre, ndërkohë që u identifikuan 29 veta, që u varrosën në Trogil, ku gjendet edhe një pllakë përkujtimore me emrat e tyre. Por, tragjedia më e madhe ndodhi me kolonën e dytë me 2400 shqiptarë, që u nis nga Prizreni më 26 mars 1945. Pjesë e kësaj kolone ishte edhe rekruti Azem Hajdini – Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por rastësisht2 shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi, madje edhe protestoi pranë autoriteteve në Beograd për këtë tragjedi kombëtare, më pas edhe me Letrën e Hapur drejtuar qeverisë së Kosovës së pavarur, 2009. “Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga shovinistët serbë, malazezë dhe maqedonas.

Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish”(A. Hajdini, Letër e Hapur, korrik 2009). Sipas të dhënave të arkivave jugosllave, në Fushë-Arrëz në agun e 29 marsit u vranë 126 rekrutë shqiptarë në gjendje agonie. Kur ishin në gjumë. Masakër dinake, jonjerëzore, në kundërshtim me çdo moral, fe dhe ligj. “Kur kaluam Pukën, i nxorën nga kolona tre të rinj shqiptarë, të veshur me rroba kombëtare dhe i pushkatuan para syve të kolonës si edhe para një skuadre ushtarësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi, deri sa ne qanim me dënesje, ushtarët e skuadrës së Shqipërisë e përcollën pushkatimin e tyre me duartrokitje!” (Po aty). Në Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u plagosën. Gjatë rrugëtimit mortor, trajtimi ishte çnjerëzor.

Të poshtëruar, zhveshur e të zbathur, të lagur nga shirat e të ngrirë nga të ftohtit e natës, të uritur dhe sidomos të tharë për një pikë ujë, i vrisnin kur tentonin të pinin ujë në rrëketë apo burimet, madje një rekrut tentoi të pinte urinën e një kali të oficerit Bogolud Nedelkoviç, por u qëllua për vdekje me kondakët e pushkëve. Bënin nga 60 km rrugë në dite në këmbë dhe një pjesë e eraskapitur hidheshin humnerave nga shoqëruesit serbë ose vdisnin rrugës dhe liheshin të pambuluar. Dhe shteti komunist shqiptar bënte sehir ose i ndalonte ata që mund të arratiseshin dhe dorëzonte te komanda jugosllave. E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në Shkodër, gjetën vdekjen 234 rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish. Më 30 mars kolona arriti në Shkodër. At Zef Pllumi, që ndodhej atëkohë në Shkodër, e përshkruan kalimin e kolonës me rekrutë shqiptarë “Me zigoma të theksueme mbi faqe, të lodhun e të raskapitun, me uniformat zhele e të shkopsituna, pa armë e që mezi i lëviznin kambët… Mbetëm shtang. Largas, anash reshtit, kishin roje të armatosuna, që bërtisnin me kërcënim: “Lëviz, luaj kambët!” Ndërkaq njeni prej tyne pat guxim, para vdekjes, dhe na foli: “Për iza të Zotit, a keni nji copë bukë?”…. Kolona u nis nga Shkodra u nis për në Tivar në të gdhirë të datës 31 mars 1945 nën shoqërimin e Brigadës X malazeze.

Në mesditën e datës 31 marsit 1945, në qytetin e vogël të Tivarit, ku ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë. Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze, e komanduar nga Gosha Markoviç pikërisht në Tivar, qytet i rrethuar nga deti dhe malet përballë, si një grackë natyrore e mbyllur mirë dhe larg vëzhgimit të ndërkombëtarëve. I mbijetuari Azem Hajdini rrëfen: “Me të arritur në Tivar, diku mes orës 12-13.00 në çdo skutë të qytetit diktohej një mobilizim i madh i ushtrisë që me armë në duar ishin drejtuar nga ne. Diktuam qartë komplotin dhe grackën që na kishin përgatitur. Shpirtrat tanë të virgjër u gjetën në shënjestër të pushkëve dhe mitralozave, që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, nëpër dritare dhe në tarracat e shtëpive, nëpër shkëmbinjtë dhe kodrat për rreth…”. Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, në rrugën që të çonte te oborri i ndërtesës së Monopolit të duhanit. “Këtu llogariten 430 të vdekur”, -raportonte shtabi i Kolonës IV të Armatës Jugosllave.( Raport i shtabit të Kolonës IV të Armatës jugosllave, dt.8.04. 1945). Ploja arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit.

Oborri dhe tri katet e ndërtesës u mbushën me kufoma të rënë mbi njëri-tjetrin…. “Në sulmin e parë rrebeshi i armëve të zjarrit më plandosi përtokë. Mbi trupin tim ranë shumë trupa të vdekur e të plagosur. Derisa qëndroja nën kufoma, vëreja sesi ushtarakët malazezë të hetonin të plagosurit dhe sapo i zbulonin, aty për aty i pushkatonin ose i thernin me bajoneta e mjete të tjera. Shumë të pragosur, që s’u kishte dalë ende shpirti, klithnin, rënkonin, kërkonin ndihmë: ‘Ndihmomë vëlla, mos shkel mbi varrën time!…Vëlla, më jep nji pike ujë. Më hiq sopatën, thikën e sfurkun nga shpina.. M’i afro zorrët që më shkojnë zhagas. Më nxirr prej kufomave… Vëllezër, mos na lini në duar të xhelatëve!” (Azem Hajdini, letër e hapur). Sipas dokumenteve, rezulton se vetëm në Tivar u vranë e u therën 1560 shqiptarë nga kolona e dytë. Rreth 430 kufoma u varrosën nga shqiptarët e Tivarrit në varrezat myslimane të qytetit. Një pjesë tjetër u hodh në dy shpella të thella në afërsi të fshatit Tugjemil, të tjerët mbetën në mangalle, hendeqe, pyje dhe kodrat, si ushqim i ujqve apo shpendëve. Kolona e tretë e marsit 1945 me 2.680 shqiptarë të rekrutuar nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Kumanova, Kërçova etj. u nis më datën 27 mars 1945 e percjellë ushtarakisht nga një batalion I Brigadës 27 të Jugosllavisë. Sipas raportit të shtabit te Divizionit 46, gjatë rrugës së kalvarit nga Prizreni ku ishin grumbulluar e deri në Shkodër nga Kolona e tretë humbën nga sëmundjet, uria dhe torturat 170 rekrutë shqiptarë.

Në kalimin me trap të lumit Buna u vranë nga rojet serbe dhe u mbytën 230 shqiptarë, pjesa tjetër u masakrua në Shkodër, 20 viktima, dhe në Tivar e më tej në udhëtimin e mëtejshëm. Në Dubrovnik i mbyllën 800 rekrutë në një ish-magazine baruti, ku u helmuan dhe gjeten vdekjen 250-300 veta (Rankoviçi). Nëse përpiqemi të konkludojmë për numrin e saktë të të vrarëve në këtë tragjedi të përmasave ballkanike, sipas përllogaritjeve më të fundit, numrit prej 2933 vetash të masakruar në Tivar, Trogir, Dubrovnik etj., po t’i shtosh shifrën prej 1315 shqiptarësh të vrarë e të zhdukur në Shqipëri nga të tri eshalonët e marsit 1945, si edhe 211 shqiptarësh nga tri eshalonët e prillit 1945, sipas dokumenteve arkivore e dëshmive jugosllave e shqiptare, rezulton shuma prej 4459 shqiptarësh të vrarë, të mbytur, të helmuar e të zhdukur në tragjedinë e quajtur të Tivarit.

/Gazeta Panorama