Shërbimet Sekrete në SHBA kanë reaguar pas sulmit të ndodhur gjatë një eventi ku ishte i pranishëm presidenti amerikan Donald Trump, duke theksuar se ndërhyrja e shpejtë e agjentëve shmangu një situatë që mund të ishte edhe më e rëndë.

Në një deklaratë zyrtare, zëvendësdrejtori Matthew Quinn e cilësoi të dyshuarin një frikacak që “nënvlerësoi’ kapacitetet e Shërbimit Sekret.

“Sonte, një frikacak u përpoq të shkaktojë një tragjedi kombëtare. Ai nënvlerësoi kapacitetet mbrojtëse të Shërbimit Sekret të SHBA-së dhe u ndal në kontaktin e parë. Forca e sistemit tonë të sigurisë me shumë shtresa ishte e dukshme, ndërsa një sërë masash të tjera mbrojtëse ishin ende në dispozicion. Jemi mirënjohës për burrat dhe gratë e guximshme të Shërbimit Sekret dhe partnerët tanë në zbatimin e ligjit,” thuhet në deklaratë.

Sipas Quinn, sistemi i sigurisë funksionoi sipas planit, duke parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe duke garantuar sigurinë e të pranishmëve.