Jam i nderuar që jam ftuar t’ju drejtohem. E di që këtë vit – në fakt, këtë muaj – është 80-vjetori i themelimit të Gjykatës së Lartë të Malit të Zi.

Kjo është një kohë për të festuar suksesin dhe arritjet e saj, dhe gjithashtu një kohë për të reflektuar mbi mënyrën se si ka ndryshuar shoqëria jonë gjatë kësaj periudhe dhe si po vazhdon të zhvillohet, dhe se si Gjykata e Lartë e Malit të Zi dhe gjykatat e tjera duhet t’u përgjigjen këtyre ndryshimeve. I kam fort mirë parasysh, përpjekjet që po bëhen për të forcuar pavarësinë gjyqësore, efikasitetin dhe besimin publik, përpjekje të cilat mesa kam kuptuar, po vijojnë.

Më është kërkuar të flas për transparencën dhe komunikimin. Dua të filloj me dy pyetje themelore. Së pari, çfarë nënkuptojmë kur flasim për transparencë në lidhje me gjykatat? Do të sugjeroja që kjo do të thotë që gjykata dhe puna e saj janë të hapura dhe të dukshme për publikun. Në shoqërinë e sotme, kjo kërkon më shumë sesa thjesht lejimin e aksesit të publikut në ndërtesat e gjykatave, megjithëse kjo është pjesë e saj. Do të thotë gjithashtu që puna e gjykatës të jetë e arritshme për publikun dhe të ketë mjete efektive komunikimi midis gjykatës dhe publikut.

Pyetja ime e dytë është edhe më themelore: pse ka rëndësi transparenca? Ka një numër arsyesh, por do të theksoja një në veçanti. Nëse pyetni pse publiku pranon vendimet e marra nga gjyqësori, përgjigjja, do të sugjeroja, varet nga besimi. Dhe besimi varet nga hapja dhe komunikimi efektiv me të gjitha pjesët e komunitetit që i shërbejmë. Në Mbretërinë e Bashkuar, një studim i kohëve të fundit zbuloi se besimi i publikut në Gjykatën e Lartë është i lidhur ngushtë me njohuritë rreth punës së saj; dhe njohuritë publike varen nga transparenca dhe komunikimi.

Pra, duke marrë parasysh së pari transparencën, në Mbretërinë e Bashkuar, normalisht kemi seanca dëgjimore në të gjitha çështjet, dhe ato normalisht zhvillohen në publik. Publiku inkurajohet të hyjë brenda Gjykatës së Lartë për të parë seancat tona dëgjimore dhe për të vizituar sallat tona të gjyqit. Ne jemi deri diku një atraksion për vizitorët. Kemi rreth 100,000 vizitorë në vit, dhe sallat tona të gjyqit zakonisht janë të mbushura me vizitorë. Ne kemi një zonë ekspozite, ku vizitorët mund të mësojnë më shumë rreth gjykatës dhe jurisprudencës së saj, dhe një kafene publike. Ne gjithashtu mbajmë ditë të hapura, kur pjesa më e madhe e ndërtesës është e hapur për publikun. Ne mbajmë parasysh se aksesueshmëria përfshin aksesueshmërinë për fëmijët dhe për njerëzit me nevoja të veçanta. Për shembull, ne organizojmë ture për njerëzit me probleme dëgjimi, duke përdorur gjuhën e shenjave.

Përveç kësaj, në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën e Apelit, seancat dëgjimore transmetohen drejtpërdrejt në internet, me një vonesë të shkurtër në rast se përmendet aksidentalisht diçka konfidenciale. Ato gjithashtu vihen në dispozicion më pas në faqen e internetit të gjykatës dhe në YouTube. Gjykata e Lartë gjithashtu transmeton drejtpërdrejt dhënien e vendimeve, kur gjyqtari që ka shkruar vendimin kryesor jep një shpjegim të shkurtër para kamerës së vendimit të gjykatës në gjuhë të kuptueshme. Gjatë vitit të kaluar financiar, rreth 750,000 shikues ndoqën çështjet dhe vendimet tona në faqen tonë të internetit, dhe pamjet filmike u përdorën gjithashtu në televizion dhe në faqet e internetit të mediave, sipas kushteve kontraktuale të përcaktuara nga gjykata për të parandaluar keqpërdorimin.

Kjo ka qenë një ndihmë e madhe në çështjet tona më të diskutueshme. Për shembull, në një rast që kishte të bënte me kundërshtimin e mënyrës se si qeveria po vepronte me tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, momentet kryesore të seancës dëgjimore u transmetuan në lajmet televizive dhe u analizuan nga ekspertët në të njëjtën mënyrë si ndeshjet e futbollit, me riprodhime të momenteve më të rëndësishme. Kur kohët e fundit, dhamë vendimin tonë në një rast të diskutueshëm që kishte të bënte me çështjet e gjinisë, pamjet e dhënies së vendimit u transmetuan në lajmet televizive. Kjo ndihmoi në përmirësimin e të kuptuarit të publikut për atë që po vendoste gjykata dhe në rritjen e nivelit të besimit se gjyqtarët ishin të përqendruar në çështjet ligjore dhe jo në çështje politike të diskutueshme.

Transmetimi i seancave dëgjimore kërkon disa reflektime, aty ku juridiksionet, kanë kryesisht një procedurë me shkrim. Për shembull, në vitin 2023, Gjykata franceze e Kasacionit vendosi se kishte nevojë të ishte më transparente dhe filloi të transmetojë seancat e saj dëgjimore. Megjithatë, gjyqtarët e asaj gjykate nuk ishin mësuar të ishin pjesmarrës aktiv në seancë dhe qëndruan në heshtje gjatë argumenteve gojore të avokatëve. Më është thënë se gjykata më pas u kritikua, pasi anëtarët e publikut krijuan përshtypjen se gjyqtarët nuk ishin të angazhuar në çështjet që ishin objekt i seancave dëgjimore. Prandaj, duhet të bëhet një shqyrtim i kujdesshëm, dhe duhet të jepet një ide se si mund të zhvillohen seancat gojore nëse ato do të transmetohen. Një mundësi është të ndiqet qasja e miratuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ku seancat dëgjimore të Dhomës së Madhe transmetohen drejtpërdrejt. Në këto seanca, avokatët paraqesin argumentet e tyre pa ndërprerje nga gjyqtarët. Megjithatë, në fund të argumentit të tyre me gojë, gjyqtarët më pas bëjnë pyetje, pas të cilave avokatëve u jepet kohë të konsultohen me ekipin e tyre ligjor para se të japin përgjigje.

Ne kemi miratuar edhe praktikën, në disa raste të diskutueshme, të vendosjes në faqen tonë të internetit, të dokumenteve më të rëndësishme të çështjes, me përjashtim të rasteve kur nuk duhet publikuar, për arsye të tilla si konfidencialiteti tregtar ose siguria kombëtare, në mënyrë që ato të mund të jenë të konsultueshme, paralelisht me transmetimin e drejtpërdrejtë të seancës dëgjimore.

Duke marrë parasysh komunikimin, shumica e njerëzve marrin njohuritë e tyre për gjyqësorin dhe mendimet e tyre për gjykatat nga media, por mbulimi mediatik i gjyqësorit nuk është gjithmonë i saktë ose i informuar mirë. Për të adresuar këtë problem, Gjykata E Lartë e Mbretërisë së Bashkuar punëson një ekip ekspertësh komunikimi dhe përdor një numër mjetesh për të informuar publikun rreth punës sonë. Ne e pranojmë që gjykata vepron në një mjedis mediatik në të cilin gazetarët dhe blogerët pritet të japin një përgjigje të menjëhershme ndaj vendimeve tona. Prandaj, anëtarët e ekipit të komunikimit punojnë me gazetarët që mbulojnë punën tonë për t’i ndihmuar ata ta raportojnë atë me saktësi. Kur një vendim ka të ngjarë të tërheqë interesin e medias, ata u lejojnë gazetarëve, që në mënyrë konfidenciale, të shohin vendimin dhe komunikatën për shtyp, një orë para se ato të bëhen publike,. Ne nuk e bëjmë këtë kur bëhet fjalë për raste më të ndjeshme, ose kur njohja paraprakisht me vendimin, mund të shfrytëzohet në mënyrë abuzive. Megjithatë, konfidencialiteti i komunikatës së shtypit, garantohet nga ligji ynë për shpërfilljen e gjykatës, dhe nuk është shkelur asnjëherë.

Ekipi i komunikimit gjithashtu punon me gjyqtarët për t’i ndihmuar ata të komunikojnë me publikun, veçanërisht në përmbledhjet që paraqiten në gjykatë dhe transmetohen drejtpërdrejt në internet kur shpallen vendimet, pjesë nga të cilat mund të shfaqen në lajmet televizive. Ata na ndihmojnë të sigurohemi, për shembull, që gjuha që përdorim në përmbledhjet tona të jetë e kuptueshme nga publiku dhe që, në rastet që do të raportohen në media, në përmbledhjen tone, të ketë një ose dy fjali të shkurtra që mund të riprodhohen ose citohen në kornikat e gazetarëve, dhe që shpjegojnë thelbin e vendimit tonë. Ata gjithashtu mirëmbajnë llogaritë tona në mediat sociale, me X, Instagram dhe LinkedIn, të cilat kanë rreth 400,000 ndjekës.

Ne gjithashtu përpiqemi të lidhemi me publikun e gjerë përmes punës sonë edukativ. Për shembull, ne kemi krijuar një skemë që u jep nxënësve në shkolla në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, të moshës rreth 16 ose 17 vjeç, mundësinë për të marrë pjesë në një seancë pyetje-përgjigje të drejtpërdrejtë me një gjyqtar të Gjykatës së Lartë nga klasa e tyre, përmes internetit. Kjo ka rezultuar shumë popullore në shkolla dhe i mundëson gjykatës të krijojë kontakt të drejtpërdrejtë me të rinjtë e zakonshëm në një mënyrë pozitive. Unë gjithashtu jap intervista të herëpashershme për median, duke përfshirë intervista për podkaste në mediat sociale, ku përpiqem të shpjegoj punën tonë në mënyra që publiku mund ta kuptojë. Ne gjithashtu organizojmë një kurs online mbi Gjykatën e Lartë në partneritet me një nga universitetet tona. Rreth 5000 anëtarë të publikut janë regjistruar.

Në kontekstin e Mbretërisë së Bashkuar, ka qenë gjithashtu e rëndësishme që Gjykata e Lartë të përpiqet të përmirësojë kuptimin në Parlament dhe në qeveri të rolit kushtetues të gjykatave. Me mbështetjen e Kryetarit të Dhomës së Komunave, Gjykata e Lartë është angazhuar drejtpërdrejt me të gjithë anëtarët e rinj të Parlamentit që nga zgjedhjet tona të përgjithshme të vitit të kaluar, duke i ofruar secilit prej tyre, materiale që shpjegojnë sundimin e ligjit dhe rolin kushtetues të gjykatave, duke marrë pjesë në seanca pyetje-përgjigje me anëtarët e Parlamentit në takime private dhe duke i inkurajuar ata të vizitojnë gjykatën dhe të takohen me gjyqtarë dhe pjestarë të stafit. Ne e konsiderojmë të rëndësishme të ndihmojmë politikanët të kuptojnë rolin e gjykatave, në mënyrë që ata të mbështesin pavarësinë gjyqësore dhe të kuptojnë kur, siç ndonjëherë ndodh, në marrim vendime që për çështje që janë kundër qeverisë.

Në kontekstin e Mbretërisë së Bashkuar, është gjithashtu e mundur që gjykata të angazhohet me qeverinë në mënyra që inkurajojnë respektin për pavarësinë gjyqësore. Në përgjithësi ekziston një mirëkuptim i mirë nga të dyja anët e ndarjes së pushteteve. Është provuar të jetë e mundur, në një kontekst respekti të ndërsjellë, të gjejmë mënyra për të bashkëpunuar në projektet e reformës ligjore dhe për të inkurajuar një ndjenjë se mbrojtja e sundimit të ligjit është një përgjegjësi e përbashkët.
Ne gjithashtu kemi një program aktiv për të demonstruar se jemi gjithëpërfshirës për të gjitha pjesët e popullsisë sonë, duke përfshirë pakicat etnike dhe fetare. Pra, ne presim vizita nga organizata që mbështesin anëtarë të talentuar të grupeve minoritare dhe ofrojmë praktika në gjykatë për avokatë të rinj me prejardhje nga shtresa të pafavorizuara.

Si përfundim, të gjithë duhet të punojmë për të ruajtur besimin e publikut në administrimin e drejtësisë. Jam mirënjohës që mund të ndajmë ide dhe të mësojmë nga njëri-tjetri ndërsa punojmë për të mbrojtur sundimin e ligjit, në të mirë të të dy shoqërive tona.