Papa Leoni XIV po shënon Pashkët e para si pontifik (udhëheqës i Kishës Katolike) ndërsa konflikti i vazhdueshëm në Lindjen e Mesme hedh një hije mbi festën më të rëndësishme të të krishterëve.
Papa po udhëheq Meshën e Pashkëve në Sheshin Shën Pjetrit, ku janë mbledhur mijëra besimtarë, pavarësisht shqetësimeve globale për luftën dhe paqëndrueshmërinë.
Gjatë ceremonisë në Vatikan, ai do të japë bekimin tradicional të Pashkëve, një mesazh që ndiqet me vëmendje nga miliona katolikë në mbarë botën.
Këtë vit, kremtimi ka një rëndësi emocionale më të madhe, pasi kujton shfaqjen e fundit publike të Papa Françeskut, i cili u pa për herë të fundit gjatë Pashkëve të vitit të kaluar, pak para ndarjes së tij nga jeta.
Gjatë vigjiljes së Pashkëve, Papa Leoni XIV bëri thirrje për një angazhim të ri drejt paqes dhe unitetit mes kombeve. Ai paralajmëroi se konfliktet, padrejtësitë dhe izolimi i shoqërive vazhdojnë të ndajë njerëzimin. Papa apeloi gjithashtu për përpjekje diplomatike më të fuqishme për të ndalur dhunën, veçanërisht në Lindjen e Mesme, ku konflikti ka thelluar shqetësimet humanitare.
Lufta ka ndikuar ndjeshëm në komunitetet krishtere në rajon, veçanërisht në Jeruzalem, ku festimet zakonisht mbushen me pelegrinë. Megjithatë, autoritetet kanë kufizuar tubimet për arsye sigurie pas muajsh përshkallëzimi të konflikteve. Si pasojë, shërbimet në Kishën Historike të Varrit të Shenjtë po zhvillohen privatisht, prapa dyerve të mbyllura.
Ndërkohë, udhëheqësit e kishës në rajon e kanë përshkruar situatën si shumë shqetësuese për besimtarët që përgatiten për Pashkët.
Në Liban, fshatrat e krishtere pranë kufirit po përballen gjithashtu me vështirësi, ndërsa përplasjet midis Hezbollah-ut dhe forcave izraelite vazhdojnë. Banorët e qytetit jugor Debel raportuan granatime të vazhdueshme gjatë përgatitjeve për festimet e Pashkëve.
Megjithatë, pavarësisht sfidave dhe frikës, komunitetet lokale thonë se besimi mbetet burimi i tyre më i fortë i shpresës gjatë këtyre kohëve të pasigurta.




















