Dy turistë nga Belgjika që kishin mbetur të bllokuar në zonën e njohur si Qafa e Valbonës janë shpëtuar nga Policia e Kukësit.
Sipas njoftimit zyrtar Policia është njoftuar rreth orës 14:00 të një dite më parë nga turistët, të cilët teksa po eksploronin Alpet e Valbonës, nuk mund të vijonin lëvizjen për shkak të dëborës dhe terrenit malor.
Pas disa orësh kërkime intensive në këmbë, efektivët e Policisë dhe ekipi i kërkim-shpëtimit arritën të gjejnë turistët në “Qafën e Valbonës”,
Fatmirësisht, dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë akomoduar në një bujtinë në Valbonë.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 14:00, është marrë njoftim se 2 turistë nga Belgjika, duke eksploruar Alpet e Valbonës, kishin mbetur të bllokuar për shkak të terrenit të thepisur dhe me dëborë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim me ekipin e kërkim-shpëtimit Valbonë, organizuan punën dhe nisën kërkimet për lokalizimin e turistëve.
Pas disa orësh kërkime në këmbë, nga shërbimet e Policisë dhe ekipi i kërkim-shpëtimit Valbonë, në vendin e quajtur “Qafa e Valbonës”, u lokalizuan dy turistët që kishin mbetur të bllokuar.
Turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë akomoduar në një bujtinë në Valbonë. Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe ekipin e kërkim-shpëtimit për ofrimin e menjëhershëm të ndihmës.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës fton qytetarët që, për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.




















