Nga Adekeye Adebajo, Project Syndicate
Duket se, për herë të parë në historinë e afërt të njerëzimit, Zoti dhe Djalli përfaqësohen në Tokë nga dy amerikanë. Në fakt, shkëmbimi i ashpër mes Papa Leonit XIV dhe Presidentit amerikan Donald Trump ka ringjallur, ndonëse në një formë të re dhe me raste banale, përplasjen e vjetër mes të shenjtës dhe sekulares.
Të dy këta burra nuk mund të ishin më të ndryshëm nga njëri-tjetri. Papa Leoni XIV – amerikani i parë në këtë post – predikon paqen, multilateralizmin dhe nevojën për t’iu përmbajtur ligjit ndërkombëtar, ndërsa Trump nxjerr nga goja vetëm retorikë raciste, ksenofobe e mizogjiniste dhe predikon luftë. Papa i urtë, këmbëngul tek mirësia, mëshira dhe drejtësia, duke mishëruar fuqi shpirtërore dhe pajtim. Por Trump, arrogant si një sundues tiran rmak, mbështetet tek dhuna, duke përfaqësuar pushtetin ushtarak pa legjitimitet moral.
Veprimet e presidentit amerikan flasin vetë. Pavarësisht pretendimit të tij absurd se ka përfunduar dhjetë luftëra, ai po zhvillon aktualisht një luftë paligjshme kundër Iranit dhe e ka përdorur fuqinë ushtarake në mënyrë unilaterale në disa shtete, ndërsa ka lejuar fushatën e përgjakur të Izraelit në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Liban. Në shtëpi, Trump ka nisur një fushatë drakoniane deportimesh masive kundër emigrantëve me ngjyrë, të cilët shpesh vijnë nga vende që presidenti i ka përshkruar si “vrima banje.” Si pjesë të ndërmarrjes së tij iluzore për të ringjallur një Amerikë të bardhë Kristiane, Trump ka nxitur gjithashtu islamofobinë. Megjithatë, ndërprerjet masive të programeve sociale, paradoksalisht kanë goditur veçanërisht rëndë amerikanët e bardhë të shtresës së varfër, të cilët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të bazës së tij.
Leoni XIV, i cili u zgjodh papë në maj të vitit 2025, fillimusht e shmangu përplasjen me politikën amerikane, edhe pse ishte një kundërpeshë e dukshme ndaj Donald Trump. Por kjo nisi të ndryshonte në fund të vitit të shkuar, kur Papa inkuraoji peshkopët katolikë amerikanë që të mbështesnin emigrantët, ndërsa përkrahu deklaratën e tyre që kritikonte deportimet masive të administratës Trump. Në janar, ai shkoi edhe më tej, teksa bëri thirrje për “forcimin e institucioneve ndërkombëtare”; duke theksuar se rendi ligjor është “themeli i gjithë bashkëekzistencës paqësore civile”; dhe kritikoi rilindjen e “diplomacisë së bazuar tek forca.”
Sulmi i paprovokuar ndaj Iranit nga SHBA dhe Izraeli e bëri mëse të qartë përplasjen. Përmes një deklarate kritike ndaj Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, i cili e kishte përshkruar konfliktin si një kryqëzatë Kristiane, Papa Leoni XIV deklaroi se “Zoti nuk i dëgjon lutjet e atyre që nxisin luftëra, por i refuzon ato.” Pak pas kësaj, ai i cilësoi kërcënimet për fshirjen nga sipërfaqja e tokës të qytetërimit rianian si “vërtet të papranueshme,” ndërsa i nxiti amerikanët që të ushtrojnë presion mbi udhëheqësit e tyre për paqe. Në disa postime në “X”, papa deklaroi se një dishepull i Kirshtit nuk është kurrë në anën e atyre që “hedhin bomba” dhe dënoi “dhunën absurde dhe jonjerëzore.”
Pas këtyre kritikave, Trump doli në sulm direkt ndaj Papës, ndërsa e akuzoi se ishte “i dobët ndaj krimit,” “mbrojtës i të majtës radikale,” dhe se mendon se “është OK që Irani të ketë armë bërthamore.” Papa, gjatë një turi në Afrikë, iu përgjigj me vetëbesim: “Nuk kam frikë as nga administrate Trump dhe as për ta shqiptuar me zë të lartë mesazhin e Ungjillit.”
Papa Leoni XIV, i cili ka punuar dhe udhëtuar me dekada të tëra në Amerikën e Latine dhe në Afrikë, e kupton po aq mirë sa kushdo neverinë që bota ka ndaj luftës së Trump-it dhe fjalëve të tij banale. Por më e rëndësishmja është se, pas sulmit të Trump ndaj Papës, e njëjta ndjesi pakënaqësie po përhapet edhe mes konservatorëve kristianë në SHBA. Ideja e Trump-it për të postuar një imazh ku ai shfaqej si Jezu Krishti duke shëruar të sëmurët, mund të ketë ndihmuar në përkeqësimin e imazhit të tij. Ishte diçka e ekzagjeruar edhe për bazën e tij të ungjillorëve të bardhë, shumica e të cilëve ndërkaq e shohin Trump si një udhëheqës të dërguar nga Zoti për të shëptuar Amerikën nga ato çfarë i shohin si të ligat e liberalizmit dhe multikulturalizmit.
Përplasja e profilit të lartë me liderin e Kishës Katolike ka shërbyer vetëm për ta vënë edhe më tepër në dukje diferencën e thellë mes politikave të Trump-it dhe mësimeve të Krishtit, nga rëndësia e dashurisë për fqinjin dhe mikpritja e të huajve, tek ideja se të urtët do ta trashëgojnë tokën. Heqja e taksave për të pasurit është gjithashtu shumë larg dashurisë së Krishtit për të varfërit.
Askund nuk është më e qartë kjo gjë se sa në sferën e luftës dhe paqes. Shën Agustinit, shenjtorit mbrojtës të Papa Leonit XIV, shpesh i atribuohet fakti se ka themeluar teorinë e luftës së drejtë. Sipas kësaj teorie, forca mund të përdoret si masë e fundit për vendosjen e paqes, por në këtë rast konflikti duhet të zhvillohet nga një autoritet legjitim që ndjek parimet e proporcionalitetit dhe nuk shenjestron civilët. Krahasuar me këtë, lufta e Trump-it në Iran nuk është aspak e drejtë. Themeluesit e Kombeve të Bashkuara luftuan për ta vendosur këtë concept Kristian në Kartën e OKB-së. Por, Trump nuk sheh ndonjë nevojë për ligj ndërkombëtar, ndërsa këmbëngul se i vetmi kufizim ndaj pushtetit ttë tij është morali i tij.
Thuhet se dikur Josef Stalin pati pyetur me ironi : « Po, sa divizione ka Papa i Romës ? » Megjithatë, një shpërfillje e tillë reflekton një keqkuptim thelbësor në lidhje me autoritetin shpirtëror. Trump ka bërë një gabim të ngjashëm duke sulmuar një papë mjaft popullor (Papa Leoni XIV ka një aprovim prej 84% mes katolikëve amerikanë). Duket se presidenti e ka nënvlerësuar “fuqinë e butë” të udhëheqësit shpirtëror më të rëndësishëm të globit.
Një sondazh i vitit 2013 zbuloi se një në katër amerikanë besonin se Presidenti Barack Obama mund të ishte antikrishti. Deluzione të tilla konspirative, të nxitura deri diku nga akuzat e rënda të Trump-it se Obama nuk kishte lindur në SHBA, kanë ndihmuar të sjellin në pushtet një profet të apokalipsit, i cili po e tërheq sistematikisht botën drejt luftës dhe shkatërrimit ekonomik. Papa Leoni XIV ka të drejtë që nuk i jep këtij Cezari vanitoz, të dhunshëm dhe vulgar, atë që nuk ka qenë kurrë e Cezarit.









