Në ditën e shenjtë të Pashkës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zgjodhi famullinë e Shëngjinit për të uruar besimtarët e krishterë për këtë festë të rëndësishme.I shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, deputetë të Partisë Socialiste dhe autoritete të tjera vendore, Presidenti u prit nga famullitari Angjelin Krygja.Gjatë vizitës, kreu i shtetit iu bashkua ritualit fetar në kishë, duke përcjellë mesazhe shprese, besimi dhe solidariteti për të gjithë besimtarët në këtë ditë të shenjtë.“Një mesazh i dhënë nga unë nuk është në lartësinë e atij të dhënë nga Papa Leoni, por unë do të mundohem të bëj mesazhin tim për të gjithë besimtarët e pranishëm këtu, për të gjithë shqiptarët që festojnë këtë ditë të shenjtë të sjellë paqe, shpresë dhe bekim, për çdonjërin dhe familjet e tyre. Kjo ditë e shenjtë është një ditë që na bën të kemi një reflektim të thellë shpirtëror dhe një kujtesë të fortë që e mira mbizotëron mbi të keqen. Dashuria dhe sakrifica do të mbizotërojnë jetët tona. Një mesazh i fortë që duke qenë bashkë dhe solidar, do të përmirësojmë jetët tona. Kjo harmoni fetare në Shqipëri është gurthemeli i shoqërisë tonë, ku besimi dhe respekti për njëri-tjetrin është forca jonë”, tha mes të tjerash Begaj.