Banorët e prekur nga zjarri që përfshiu një pallat në zonën pranë Farmacisë nr. 10 në Tiranë do të mbështeten me bonus qiraje deri në rikthimin e tyre në banesat e riparuara plotësisht.
“Po, banorët e prekur nga zjarri në banesat e tyre do të mbështeten me bonuse qeraje, deri kur të rikthehen së shpejti në pallatin e riparuar 100% nga ndërtuesi.”, shkruan kryeministri Edi Rama mëngjesin e kësaj të shtune.
Në fakt një ditë më parë, edhe drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës, Dritan Dango, tha se bonusi do të jepet për një periudhë nga 6 muaj deri në 1 vit, pasi kushtet aktuale të akomodimit nuk janë të përshtatshme për qëndrim afatgjatë.
Autoritetet po përgatiten ndryshimet ligjore që vendimi për bonusin të miratohet brenda një muaji në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Kjo gjë iu komunikua banorëve dje edhe nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila theksoi se paralelisht po vijojnë hetimet për përgjegjësit e mundshëm dhe një grup ekspertësh po vlerëson masat për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla.
Paralelisht, autoritetet po punojnë për të mundësuar rindërtimin sa më parë të pallatit të dëmtuar. Sjellim ndërmend se zjarri që përfshiu pallatin e ndërtuar nga kompania “Arlis” shkatërroi plotësisht 30 apartamente dhe shkaktoi shtrimin në spital të 8 personave nga asfiksia.
Ndërtuesi ka deklaruar se nuk mban përgjegjësi ligjore për ngjarjen, por ka marrë përsipër rindërtimin e banesave të dëmtuara. Kryeministri Rama më herët kishte konfirmuar se objekti do të rindërtohet plotësisht dhe se, sipas të dhënave paraprake, zjarri nuk lidhet me cilësinë e ndërtimit.




















